Në fjalën e tij para nisjes së Maratonës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se kjo garë që është kthyer në një ekseriencë të bukur për kryeqytetin dhe për këtë falenderoi të gjitha pjesmarrësit që kanë ardhur nga të katër anët e botës.
“Shumë faleminderit që keni ardhur në Tiranë. Një duartrokitje për ata që kanë ardhur nga Kosova nga qytete të tjera të Shqipërisë, nga qytete të tjera të Europës. Nga Asutralia, Zelanda e Re., Japonia, Kina, Amerika, Kanadaja, Kili. Nga të gjithë bota. Faleminderit që keni ardhur në Tiranës, jam i sigurt që do të largoheni jo vetëm me një eksperiencë fantastike, por edhe me miq të rinj”, tha Veliaj.
Ai shtoi se personalisht do të vrapoi për kauzën e atyre që u dëmtuan nga tërmeti i shtatorit duke dashur që të ndërgjegjësojë sa më shumë qytetar për të ardhur në ndihmë dhe kontribuar në përballimin e kësaj situate. “Dua t’i jap një super përshëndetje, atyre që kësaj here po vrapojnë për një kauzë. Unë kam zgjedhur kauzën time dhe ata që më kanë mbështetur për rindërtimin e shtëpive që u dëmtuan nga tërmeti, janë bërë pjesë e kauzës time. Dua t’i falënderoj ata, por të përshëndes këdo kauzë tjetër. Pashë disa që po vrapojnë për refugjatët. Një super kauzë që gjithë organizatat e OKB-së po bëjnë. Pashë disa aktivistë të tjerë për tema ekologjike, për emergjencën e klimës, për të mbjellë më shumë pemë, për të ruajtur një specie në zhdukje. Ka edhe nga ata që po vrapojnë thjesht për qejf dhe gallatë. Nuk ka rëndësi nëse po vraponi për qejf apo për një kauzë, mirëserdhët në Maratonën e Tiranës në Edicionin e katërt”, tha Veliaj.
Më tej ai theksoi se këtë vit Maratona vjen me një itinerar panoramik dhe që reklamon zonat më të bukura të Tiranës urbane dhe Parkut të Liqenit Artificial. Gjithashtu ai shtoi se gara të tilla sportive i japin qyteti frymëmarrje, ndaj dhe theksoi se qytetarët e kanë vet në dorë ta bëjnë qytetin më të mirë dhe më të jetueshëm falë angazhimit në sport.
“Këtë vit kemi bërë një miks fantastik, midis zonës urbane të Tiranës. Për t’i treguar edhe pak turistëve ndryshimet në Tiranë, por e kemi miksuar edhe me një pjesë tjetër që është pjesa e Parkut të Tiranës, ku shumë shpejt do të fillojmë stinën tonë të mbjelljeve. Kështu që shpresoj shumë që do të na bashkoheni, secili të mbjellë një pemë për një ditëlindje për një përvjetor. Për të përkujtuar një njeri të dashur, për fëmijët e tyre. Sot është një ditë që qyteti merr frymë. Kemi ndaluar makinat nga qendra e qytetit. Është në mënyrë për të kujtuar që në fakt për miliona vite njerëzimi ka ecur dhe ka vrapuar, vetëm në 100 vitet e fundit rri te një makinë metalike duke pritur në trafik. Kështu që është një kthim në origjinë për t’u investuar në më shumë shëndet. Qyteti ka asete plot, ka ndërtesa, pemë, sheshe. Aseti numër 1 janë njerëzit, njerëzit. Qytete pa sheshe dhe pa Pazar, ka, por nuk ka qytete pa njerëz. Ndaj shpresoj shumë që t’i kemi sa më të shpeshta këto aktivitete, ditët pa makina dhe një moment ku Tirana jonë të mbushet me oksigjen dhe të investojmë për qytetin e ëndrrave tona”, shtoi Veliaj. /abcnews.al