TIRANË– Kanadaja dhe Kina i janë kundërpërgjigjur Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke vendosur tarifa ndaj një grupi të konsiderueshëm mallrash, që importohen nga ky vend kryesisht ndaj produkteve bujqësore amerikane, duke përfshirë grurin, misrin, viçin dhe sojën.
Kina ka njoftuar se do të vendosë tarifa të reja për një sërë importesh bujqësore nga SHBA-ja javën e ardhshme.
Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, i ftuar në emisionin “Money Report”, foli për këtë luftë tregtare të nisur nga SHBA dhe konkretisht nga presidenti Donald Trump.
Ai theksoi se ky fenomen nuk është instrument i ri, por mbetet një formë që ka ecur bashkë me historinë e tregtisë globale.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për tarifat për Kanadanë, Kinën e Meksikën por edhe me BE dhe disa vende të tjera. Nuk është një fenomen i ri, por është një fenomen i vjetër, i lindur bashkë me tregtinë”, tha ai.
Sipas ekspertit, janë tri arsye kryesore që një shtet merr në analizë para se të vendosë të aplikojë masa të tilla tregtare.
“Janë tre arsye pse vendosen këto masa. Së pari për krijimin e reciprocitetit. Elementi i dytë ka të bëjë me përdorimin e tarifave si një stimul për ekonominë e brendshme. Duke i bërë më të shtrenjta produkteve që vijnë nga importit, automatikisht fuqizohen sektorët e brendshëm. Arsyeja e tretë, ka të bëjë me ndëshkimin e vendeve të veçanta për arsye më specifike. Për Kanadanë dhe Meksikën, problemi është lirishmëria e kalimit të drogave të rrezikshme dhe emigracioni i paligjshëm”, tha ai.
Ai theksoi se luftën tregtare nuk ka shtete të fituara dhe se kjo do të çojë në rritje çmimesh.
“Nuk ka të fituar nga këto luftëra tregtare, sepse me të njëjtën monedhë përgjigjen të gjitha vendet. Ajo që do ndodhë është që çmimet do të rriten në të dyja vendet, edhe ata që eksportojnë dhe tek ata që importojnë. Politika të tilla janë instrumente forcash”, pohoi ai. /abcnews.al

