Nis greva, bllokohen tre aeroportet kryesore të Gjermanisë: Preken mijëra pasagjerë!

schedule10:35 - 20 Prill, 2023

schedule 10:35 - 20 Prill, 2023

Aeroportet e Dyseldorfit, Hamburgut dhe Këlnit janë pothuajse bosh sot, në ditën e parë të një raundi të ri grevësh të organizuar nga sindikata gjermane Verdi.

Pothuajse 100,000 njerëz do të preken sot dhe nesër në Gjermani nga grevat e punonjësve të sigurisë në tre aeroporte, njoftoi sindikata e aeroporteve ADV, ndërsa rreth 700 fluturime do të anulohen.

“Situata sot në terminale është e njëjtë me grevat e mëparshme të Verdit këtë vit: terminalet e nisjes janë bosh, situata është e qetë,” tha në një deklaratë një zëdhënës i aeroportit të Hamburgut.

Sindikata tha se ishte duke negociuar me sindikatat e sigurisë ajrore BDLS për të nxitur rritjen e pagave për turnet e natës, fundjavës dhe festave dhe se nuk kishte zgjidhje.

Ditën e nesërme, greva do të zgjerohet pasi Verdi ka thirrur stafin e sigurisë në aeroportin e Shtutgartit për t’iu bashkuar grevës, duke çuar në anulimin e të gjitha fluturimeve nga aeroporti.

Sindikata gjermane EVG ka bërë thirrje gjithashtu për një grevë mbarëkombëtare të transportit nesër. Ndër kompanitë që do të preken nga ky mobilizim është edhe kompania kombëtare hekurudhore Deutsche Bahn.

Greva do të prekë 50 kompani dhe do të zgjasë nga ora 03:00. deri në orën 11:00 dhe priten probleme serioze, njoftoi sindikata.

Inflacioni i lartë në ekonominë më të madhe të Europës ka shkaktuar një valë grevash muajt e fundit, pasi punëtorët kërkojnë paga më të larta për të përballuar rritjen e kostove të jetesës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!