Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Nis gjyqi ndaj senatorit Menendez, përplasje mes prokurorisë dhe mbrotjes në deklaratat hapëse

schedule09:47 - 16 Maj, 2024

schedule 09:47 - 16 Maj, 2024

NJU JORK – Në fillim të gjyqit për korrupsion, prokurorja federale Lara Pomerantz, e portretizoi senatorin demokrat amerikan Robert Menendez si një politikan lakmitar, i gatshëm të ndihmojë qeveri të huaja e të ndërhyjë sikurse tha ajo, në hetime penale lokale në këmbim të ryshfetit. Ajo përmendi edhe shufrat e arit.

Zonja Pomerantz u tha të mërkurën anëtarëve të sapo zgjedhur të jurisë se senatori i lartë i Nju Xhërsit përdori gruan e tij si ndërmjetëse, duke u përpjekur të ndihmonte Egjiptin që të siguronte miliarda dollarë ndihmë ushtarake amerikane si dhe të ndihmonte bizneset dhe interesat ligjore të dy biznesmenëve nga shteti i tij, të lidhur me çështje kriminale lokale.

“Për vite me radhë, Robert Menendez tradhtoi njerëzit të cilëve duhej t’u shërbente duke marrë ryshfet”, tha zonja Pomerantz në deklaratën e saj hyrëse në gjykatën federale të Manhatanit.



“Ky rast ka të bëjë me një zyrtar publik që udhëhiqet nga lakmia, e që vuri pushtetin e tij të fituar nga populli, në shitje”, shtoi zonja Pomerantz. “Kjo nuk ka të bëjë me punën e tij të zakonshme, por kjo ishte politikë për përfitim”.

Në deklaratën e tij hapëse avokati i zotit Menendez, Avi Weitzman, i kundërshtoi pretendimet e prokurorisë. Ai e quajti senatorin me tre mandate një “shërbyes të përjetshëm të publikut”, të tradhetuar nga gruaja e tij, Nadine Menendez, e cila siç tha avokati, “e mbajti në errësirë” për marrëdhëniet e saj financiare, përfshirë biznesmenët.

“Akuzat e qeverisë se senatori shiti detyrën dhe besnikërinë e tij ndaj këtij vendi janë jashtëzakonisht të rreme”, tha zoti Weitzman. “Dëshmitë do të tregojnë se Bob ka bërë punën e tij dhe ai po e bënte atë siç duhet”, shtoi ai.

Ndërkohë Nadine Menendez, tha zoti Weitzman “u përpoq të merrte para dhe pauri në çdo mënyrë që të mundte”, ndërsa e mbante “Bobin në errësirë”.

Senatori është deklaruar i pafajshëm për të 16 akuzat penale, përfshirë atë për ryshfet, mashtrim, pengim të drejtësisë dhe se ka vepruar si agjent i huaj. Gjyqi mund të zgjasë deri në fillim të korrikut. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!