LIVE/ Nis ceremonia e përcjelljes së Bujar Nishanit, Meta homazhe me të bijën

schedule10:04 - 2 Qershor, 2022

schedule 10:04 - 2 Qershor, 2022

Ka nisur ceremonia shtetërore e nderimeve të fundit për ish-Presidentin Bujar Nishani. I pari që ka kryer homazhe për ish-kryetarin e shtetit ishte presidenti Ilir Meta, i shoqëruar nga vajza e tij Bora Meta.

Nderimet për ish-kreun e shtetit, që u nda nga jeta disa ditë më parë, nisin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në orën 12:00. Arkmorti me trupin e pajetë të ish-presidentit është vendosur në sallën “Skënderbeu” të Presidencës, ku familjarët po presin ngushëllimet.

Pas orës 12.00 arkëmorti me trupin e Presidentit Nishani, i shoqëruar nga kortezhi mortor shkon në këmbë deri të Ura e Lanës, pastaj niset drejt varrezave të Sharrës ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit. Në ceremoninë e varrimit pritet të ketë edhe fjalime lamtumire. Ndërkohë që sot është ditë zie kombëtare.

Ish-presidenti u nda nga jeta të shtunën, pasi ishte i shtruar prej një muaji në një spital në Berlin, Gjermani. Ai u shtrua fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte kompliacione të post Covid. Ish-presidenti u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar.

Në karrierën e tij politikë ai njihej për gjuhën e kujdesur dhe maturinë. Bujar Nishani ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.

Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme si deputet, ministër dhe kryetar i Këshillit Kombëtar në selinë blu. Në vitin 2012, Nishani u zgjodh president. Ndërsa së fundmi ai ishte anëtar i Komisionit të Rithemelimit. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!