Nis armëpushimi katër ditor në luftën Izrael-Hamas

schedule07:20 - 24 Nëntor, 2023

schedule 07:20 - 24 Nëntor, 2023

Armëpushimi katërditor midis ushtrisë izraelite dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas, hyri në fuqi në orën 07:00 me orën lokale. Armëpushimi pritet të çojë në lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi gjatë sulmit të 7 Tetorit në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, të cilët ndodhen në burgjet izraelite.

Ushtria izraelite aktivizoi sirenat për të paralajmëruar banorët në dy fshatra pranë Gazës, vetëm pak minuta pasi armëpushimi hyri në fuqi. Megjithatë, deri më tani asnjë raketë nuk është konfirmuar nga luftëtarët islamikë në enklavë. “Pauza humanitare” në operacionet ushtarake shënon ditën e 49-të të luftës.

Në lirimin e parë të pengjeve të Hamasit, të planifikuar për në orën 16:00, 13 gra dhe fëmijë do të lirohen, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari. Pengët do të hyjnë në Izrael në dy lokacione, në pikën kufitare Nitzana me Egjiptin dhe direkt përmes vendkalimit Kerem Shalom nga Gaza.

Pjesa tjetër e pengjeve pritet të lirohet në grupe çdo ditë për pjesën e mbetur të armëpushimit. Mund të ketë një zgjatje të armëpushimit nëse mund të arrihet një marrëveshje për pengje dhe të burgosur të tjerë por Izraeli synon të kthehet në luftë pas armëpushimit, sado e gjatë të jetë ai.

Izraeli nisi sulmet në Gaza pasi persona të armatosur nga Hamasi sulmuan përtej gardhit kufitar më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke kapur rreth 240 pengje, sipas të dhënave izraelite. Që atëherë, Izraeli ka hedhur bomba në enklavën e vogël, duke vrarë rreth 14,000 njerëz, 40% e të cilëve ishin fëmijë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!