Këtë të premte në të gjithë Shqipërinë, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit nisi aksionin e mbjelljeve. Edukimi mjedisor shumë shpejt deklaroi Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, do të jetë orë mësimi në shkolla.
Aksionin e mbjelljes se pemëve në Tiranë e nisën nxënësit e shkollës nëntëvjeçare “Jeronim De Rada”, të cilët po rehabilitojnë lulishten pranë stadiumit “Qemal Stafa”.
I pranishëm ishte dhe ministri i Mjedisit dhe Turizmit. Klosi tregoi se ministria që drejton në shkallë vendi ka ndërmarrë disa ndërhyrje që kanë të bëjnë me pyllëzimin e zonave të mbrojtura.
“Nxënësit i kanë zgjedhur vetë fidanët e tyre dhe po marrin pjesë që nga fëmijët e vegjël deri te nxënësit e klasave të 9 në gjithë këtë proces, duke i dhënë një shtysë shumë të madhe të gjithë operacionit tonë. Nesër është data 2 dhe ne do të kemi përsëri të njëjtin aktivitet dhe nesër ia kemi lënë ditën shoqërisë, njerëzve të lirë, të cilët mund t’i mbjellin këto pemë në oborret e tyre, mbase edhe në bahçet e tyre, në hapësira publike dhe të kemi mundësi që të kujtojmë njerëz të dashur, të mbjellim për familjarët tanë, të mbjellim për natyrën, për fshatin e qytetin, pasi thelbi ynë është që fëmijët e vegjël të jenë ata që mbjellin pemën e tyre, e rrisin e mbajnë dhe se çdo fëmijë që sot mbjell një pemë gjatë gjithë jetës së tij zor se do të presë një pemë tjetër”.
Aksioni i mbjelljeve do të vijojë dhe me 2 Mars në të gjithë vendin. Ndërsa fushata “Krijo oksigjenin tënd” do të vijojë deri më datë 22 Prill në Ditën Ndërkombëtare të Tokës. /abcnews.al