Më shumë se një milion vaksina të skaduara kundër Covid janë shkatërruar në Nigeri, në shenjë proteste. Autoritetet shëndetësore në vend u shprehën se vaksinat e mbërritura në vend ishin shumë pranë skadencës dhe nuk u shpërndanë dot në kohë, shkruan Aljazeera.
Ata shtuan gjithashtu se kur erdhën këto vaksina në vend dihej që kishin një kohë të kufizuar ruajtjeje, por ishte një moment në të cilin furnizimi me vaksina anti-Covid ishte shumë i ulët. Që nga koha e marrëveshjes e deri më sot ekuilibrat e furnizimit kanë ndryshuar. Sipas autoriteteve nigeriane furnizimi ishte i kufizuar për shkak të nacionalizmit të vaksinave; shtete të zhvilluara i maganizuan vaksinat për vete, dhe kur u afrua data e skadencës i dhuruan për vendet e tjera.
Një gjest në formë proteste, para kamerave, në një kohë që infektimet e reja me Covid në vend janë rritur me 500%. Nivelet më të ulëta të vaksinimit rrisin rrezikun e niveleve më të larta të infektimit dhe viktimave nga COVID-19, veçanërisht pas përhapjes së varianteve të reja, raporton abcnews.al
Ministri i Shëndetësisë Osagie Ehanire ka thënë se Nigeria nuk do të pranojë më vaksina me afat të shkurtër ruajtjeje. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se 12,971,729 doza vaksinash janë administruar në Nigeri që nga 19 dhjetori.
Vendi më i populluar i Afrikës, me një popullsi që tejkalon 200 milionë banorë, ka regjistruar 227,378 raste të COVID-19 dhe 2,989 viktima që nga fillimi i pandemisë. Ekspertët shëndetësorë kanë thënë se Nigeria duhet të trefishojë përpjekjet e saj të vaksinimit nga rreth 100,000 doza në ditë për të përmbushur objektivin e saj për të vaksinuar më shumë se gjysmën e popullsisë së saj deri në fund të vitit të ardhshëm.
/abcnews.al