Nigeria i dha shpresë vetes për kualifikim në turin e dytë të Botërorit, duke mposhtur 2-0 Islandën. Suksesi i afrikanëve i jep mundësi edhe Argjentinës që të pretendojë.
Fitoi pa dyshim për veten, por indirekt bëri edhe një nder.
Nigeria mposhti 2-0 Islandën duke lënë pas humbjen me Kroacinë, duke i dhënë shpresë vetes për kualifikim, por duke mbajtur në pretendime edhe Argjentinën.
Në një sfidë me dy fytyra në stadiumin e Vollgogradit, afrikanët luajtën dobët në pjesën e parë, por ndryshuan krejtësisht pas pushimit.
Heroi i tyre ishte i njëjti, Ahmed Musa, autor i golave në minutat 49 e 75.
Sulmuesi shtatshkurtër ishte pak a shumë si në shtëpi, pasi aktivizohet në Premier Ligën ruse me CSKA-në e Moskës.
Nigeria e meritoi suksesin pasi, në tërësi, ishte më lart.
Mbajti topin 60 për qind, gjuajti gati dyfishin, dhe po ashtu bëri rreth 200 pasime më shumë sesa europianët e veriut.
Islanda u duk më e qartë në pjesën e parë, atëherë kur rezultati ishte 0-0 dhe kur pati mundësi të luante në kundërsulm.
Gjithsesi, nuk është se krijoi raste shumë të pastër, në një nga 45 minutat më të dobët të këtij Botërori.
Pjesa e dytë ishte tjetër gjë, pasi islandezëve u duhej të sulmonin, një mënyrë loje për të cilën nuk janë të përgatitur dhe nuk shkëlqejnë.
Kjo solli edhe humbjen, ndërsa tani do të duhet të synojnë fitoren me Kroacinë që të kenë mundësi të kualifikohen.
Nigeria, ndërkaq, mjafton të shmangë humbjen ndaj Argjentinës që të kalojë në turin tjetër.
Në grupin D, Kroacia kryeson me 6 pikë, Nigeria ka 3, ndërsa Argjentina e Islanda nga 1 pikë./abcnews.al