Mbi 300 persona të rrëmbyer në sulme të ndryshme në Nigeri janë shpëtuar nga forcat e sigurisë, në atë që presidenca e vendit e cilëson si operacionin më të madh të shpëtimit të zhvilluar brenda një dite.
Operacioni u zhvillua në Parkun Kombëtar të Liqenit Kainji dhe përfshiu ushtrinë, policinë, shërbimet inteligjente dhe Qendrën Kombëtare Kundër Terrorizmit.
Mes të shpëtuarve janë 163 banorë të komunitetit Woro, të rrëmbyer gjatë një sulmi në muajin shkurt në shtetin Kwara, ku dhjetëra persona humbën jetën.
Të paktën 145 të tjerë ishin marrë peng në shtetin fqinj Niger.
Presidenti Bola Ahmed Tinubu përshëndeti operacionin, duke e cilësuar atë dëshmi të bashkëpunimit të përmirësuar mes agjencive të sigurisë.
Të liruarit po marrin kujdes mjekësor përpara se të ribashkohen me familjet e tyre.
Sipas autoriteteve, sulmi u krye nga militantë xhihadistë që synonin të impononin një sistem paralel qeverisjeje.
Autoritetet nigeriane fajësojnë grupin Boko Haram për sulmin, megjithëse organizata nuk ka reaguar publikisht.
Seria e rrëmbimeve të muajve të fundit ka shtuar shqetësimet se pasiguria po përhapet edhe përtej zonave tradicionale të konfliktit në Nigeri.


