Nick Muzin i kthen përgjigje prokurorisë shqiptare

schedule16:22 - 27 Qershor, 2019

schedule 16:22 - 27 Qershor, 2019

Prokurorisë së Tiranës i ka mbërritur me e-mail përgjigja nga lobisti Nick Muzin, ku është shprehur se ushtron të drejtën për të mos dhënë deklarime, në bazë të ligjit amerikan. Organi i akuzës ka kërkuar informacion edhe në Skoci në lidhje me çështjen e lobimit të PD-së në SHBA dy vite më parë. Për këtë hetim është marrë i pandehur kreu demokrat Lulzim Basha.

Burime kanë konfirmuar për ABC News se lobisti Nick Muzin, i ka kthyer përgjigje me e-mail Prokurorisë së Tiranës, ku është shprehur se ushtron të drejtën e tij për të mos dhënë deklarime për çështjen e kontratave të  realizuar me Partinë Demokratike për lobimin para zgjedhjeve të 2017. Lobisiti këtë të drejtë e ka ushtruar duke ju referuar ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, organi i akuzës i përfaqësuar nga 3 prokurorët Gjergji Tako, Ervin Karanxha dhe Kolë Hysenaj kanë dërguar letërporosi autoriteteve skoceze për të marrë më tepër informacion në lidhje me kompaninë “Biniata Trade”, e cila është e regjistruar në Edinburg, por nga hetimet rezuton që të jetë me dy pronarë ruse.

Prokuroria e Tiranës ka marrë nga emisioni “Opinion” në Tv Klan deklaratat e liderit të opozitës Lulzim Basha ku ka folur për një shumë prej 500 mijë eurosh të dhuruar nga shqiptarë të Diasporës që jetojnë kryesisht në SHBA. Kjo shumë parash sipas organit të akuzës nuk është deklaruar pranë KQZ-së nga Partia Demokratike.

Prokurorisë së Tiranës nuk i është vënë në dispozicion as dispozitivi i Partisë Demokratike me listën e donatorëve dhe sipas organit të akuzës kjo është e detyrueshme me ligj.  Të pandehur janë marrë kreu demokrat Lulzim Basha, ish-Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, i Departamentit të Financës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!