Presidenti Ilir Meta ka bërë publike letrën drejtuar Kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta bën thirrje ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese, të ndjekë radhën kronologjike të diktuar nga Kushtetuta dhe ligji.
Sipas tij propozimi i KED nuk mund të realizohet, pasi është radha e Kuvendit që të zgjedhë anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese.
“Synoj të respektoj normën e zbatimit të radhës në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të pranoj shkeljen e dispozitave kushtetuese, për shkak të veprimtarisë së gabuar të KED”.
Ndërkohë kreu i shtetit u jep edhe një këshillë deputetëve që ta lexojnë me durim dhe kujdes letrën në fjalë.
“Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në respekt të Kushtetutës, e cila ndan përgjegjësitë dhe radhën e ushtrimit të këtyre përgjegjësive nga secili institucion, po ju bëj publike letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për këtë çështje mjaft të rëndësishme.
Po kështu, është e domosdoshme që këtë letër ta lexojnë me durim dhe kujdes, të gjithë deputetët përpara se të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, shkruan ndër të tjera Meta. /abcnews.al