Çdo ditë e më shumë rritet interesi i grave për të ngrirë vezët. Në spitalin “Hygeia”, kjo procedurë tashmë është kthyer në rutinë.
Mjekja Otilja Dekovi, specialiste për fertilitetin në këtë spital, thotë se mosha për ta kryer këtë procedurë duhet të jetë përpara moshës 35.
“Besoj që tashmë qarkullimi i informacionit lidhur me procedurën e ngrirjes së vezëve është një procedurë lehtësisht e realizueshme. Ne do ta rekomandonim këtë gjë që të ndodhte përpara moshës 35-vjeç. Do ta rekomandonim të bëhej si një procedurë rutinë nëse mendohet që të kërkohet një shtatzëni në një moshë më të madhe”, sqaron mjekja.
Mjekja tregon të gjithë hapat që duhet të ndjekin gratë kur marrin vendimin për të ngrirë vezët.
“Në këto kushte rekomandohet një konsultë me mjekun gjinekolog specialist të fertiltietit, gratë i nënshtrohen një ekzaminimi ekografik të posaçëm dhe analizave hormonale të caktuara për vlerësimin e potencialit të tyre vezorial. Kjo nënkupton se ata do të aplikojnë 10 deri në 14 ditë gjilpëra që janë lehtësisht të realizueshme”, thotë mjekja.
Ngrirja e vezëve, është një procedurë e suksesshme që i mundëson të gjithë atyre grave që për arsye karriere apo që kanë probleme shëndetësore të caktuara të mund të planifikojnë shtatzëninë e tyre në një moshë më të madhe se 35 vjeç./abcnews.al/