Ngrihet akuza ndaj avokates ruse

schedule22:41 - 8 Janar, 2019

schedule 22:41 - 8 Janar, 2019

Drejtësia amerikane ka ngritur për herë të parë akuzë ndaj avokates ruse që priti në një takim djalin dhe avokatin e presidentit Donald Trump në zyrën e saj në Nju Jork. Avokatja, që ka mohuar se ka punuar për llogari të qeverisë ruse, akuzohet për pengim të drejtësisë.

Avokatja ruse që në vitin 2016 priti në një takim krerët e stafit elektoral të Donald Trump është akuzuar zyrtarisht nga autoritetet amerikane për pengim të drejtësisë. Natalja Veselnitskaja akuzohet se ka sajuar prova për të mbrojtur një kompani ruse të hetuar nga shteti amerikan për përfshirje në një skemë mashtrimi financiar. Bëhet fjalë për kompaninë “Prevezon Holdings”, që konkretisht akuzohet se ka pastruar rreth 230 milionë dollarë.

Tashmë avokatja Veselnitskaja kërkohet zyrtarisht nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të Nju Jorkut, që e akuzon se me vetëdije ka deformuar deklaratat e bëra për zyrtarët amerikanë që po hetonin pastrimin e parave. Sipas padisë, 43-vjeçarja ka bashkëpunuar fshehurazi me një prokuror rus për të përgatitur përgjigjen përpara hetuesve. Avokatja pushtoi faqet e para të mediave botërore pasi u zbulua se ishte takuar me djalin e presidentit, Donald Trump Junior dhe avokatin e tij Majkëll Kohen për t’i ofruar material kompromentues në dëm të kandidates rivale për presidente, Hillary Clinton.

Takimi konsiderohet një pikë kyçe e hetimit të prokurorit të posaçëm Robert Myler mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s. Akuza e ngritur të martën, që nuk lidhet me hetimin në fjalë, parashikon dënime që arrijnë deri në 10 vjet burg. Mediat amerikane raportojnë se aktualisht avokatja ndodhet në Rusi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!