Një fermer nga Fieri në zonën e Shtyllasit pretendon se i kanë helmuar delet. Sinan Hajdari i cili ka në total 350 krerë dele, tha për mediat se ka dyshime se në stan i kanë hedhur helm kimik. Për pasojë deri më tani kanë ngordhur 5 dele ndërsa shumë të tjera janë në gjendje të rëndë. Sinani shprehet se ka dyshimi se helmimi është bërë nga dora e njeriut për shkak se dy ditë më parë ka pasur edhe një konflikt për të cilin ka bërë denoncim në polici.
“Jam Sinan Hajdari. Jam fermer në zonën e Shtyllasit. Dje më janë helmuar 5 krerë bagëti dhe shumë të tjera i kam në gjendje të rëndë në stallë. Dyshoj se helmimi është i qëllimshëm për shkak të një konflikti që më ka ndodhur dy ditë më parë në këtë zonë që kemi pasur probleme me policinë. Dyshoj se është i qëllimshëm nga këta persona. Kam shumë kohë në këtë zonë dhe asnjëherë më parë nuk kam pasur probleme.
Kam 13 vjet në këtë zonë dhe nuk më ka ndodhur asnjëherë. E kam denoncuar në polici. Dyshoj te ata persona. Mund të jetë helmim kimik. Janë dërguar mostrat në laboratorin e Tiranës. Pritet përgjigja e analizave. Ndihme i rrezikuar sepse unë në këtë zonë jam në vazhdimësi dhe ndihem shumë i kërcënuar. Unë i çoj atje ku kullosin dhe marrin helmim atje. Për mua është dëm i madh ekonomik. Janë dhe shumë të tjera në gjendje të rëndë dhe mund të ngordhin. Dyshimet janë se është helmim i qëllimshëm”, thotë ai.
Gjyshja e Hajdarit mes lotësh tregon se si e kanë kuptuar se delet janë helmuar.
“Bagëtitë i lëshuam në mëngjes. I lëshoi djali, Tre i gjeti të ngordhura. Erdhi veterineri. O zot m’i shpëtoi disa. Por prapë ashtu janë. Unë i kam djem. I ndihmoj nga pak. U gatuaj. Nuk ka ndodhur herë tjetër. Ranë përshesh delet. Kjo që ndodhi mos i ndodhtë njeriu. Se i ligu, të liga të bën. Se për atë po më rrinë djemtë këtu. Vete në Fier më thonë nuset rri moj mam mos shko. Jo do iki i them unë. Nuk më rrihet. Çfarë të bëjmë”, thotë gjyshja. m.v/Abcnews.al