“Ngoo te Tirana, ose jashtë! Çani ka oferta”, Starova-Cenollit: Mos u merr të!

schedule11:58 - 17 Korrik, 2020

schedule 11:58 - 17 Korrik, 2020

Mario Cenolli, menaxheri i Michael Ngoo, ishte mbrëmë i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News dhe sigurisht foli edhe për të ardhmen e gjigantit anglez. “Ose rinovon me Tiranën, ose ikën jashtë vendit”, tha qartazi Cenolli, duke mbyllur çdo opsion për kalimin e tij te Partizani apo te ndonjë skuadër tjetër e Superiores.

Menaxheri më pas foli edhe në lidhje me Edgar Çanin: “Edgari vjen nga një periudhë dëmtimesh. Edhe te Vibonese në Itali nuk luajti shumë, pasi ai dëmtim që pësoi iu rikthye. Ka gjashtë muaj që ndihet mirë, në formë. Janë dy skuadra në Itali që interesohen për të”.

Në atë moment pati një ndërhyrje nga Sulejman Starova, i cili e ka pasur sulmuesin nën urdhra kur ishte pjesë e Partizanit. “Mos u merr me Çanin, merru me ata të tjerët që ke. Ai vinte me gjysmë lidhëse këpuce. Aq i preokupuar ishte për futbollin”, i tha trajneri i njohur menaxherit të sulmuesit.

Cenolli më pas foli për lojtarë e Superiores dhe merkaton në përgjithësi, si funksionon tani: “Lojtarët e mirë i duan të gjithë. Jam partizan i lojtarëve shqiptarë, dua që ata të luajnë sa më shumë. Ka të talentuar shqiptarë, si Muçi, Kallaku, Rrapaj.

Ka disa elementë që mund të luajnë në Kroaci, Bullgari. Koha e ka treguar se kthehen pas gjashte muajsh kur shkojnë në kampionate elitare. Në kampionet rreth mund të tregojnë veten dhe më pas të bëjnë hapin e madh.

Nëse ia prezantoje dikur, me Youtube e shikonin dhe jepnin mendimin e tyre, duke na thënë “sille se qenka i mirë”. Tani janë të përgatitur që të mos marrin lojtarë që nuk bëjnë. Tani informohen për gjithçka, edhe për dëmtimet”.

Kur vjen puna për të rinjtë, Cenolli evidenton sulmuesin e Teutës, Dejvid Kapllanin. “Kam parë Kapllanin e Teutës në shumë ndeshje të moshave dhe më ka impresionuar. Duhet të kishte pasur më shumë hapësira te Teuta. Më vjen mirë që po i jepet rasti dhe po ecën mirë”, tha mes të tjerash Cenolli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!