Superiorja duhet të kishte luajtur tetë javë deri më tani, por bojkoti zgjati më shumë se ishte menduar dhe në Sektorin e Garave në FSHF duhet të gjenin një zgjidhje për të përfunduar garën në kohë.
“Sakrifikimi” i Kupës së Shqipërisë ishte zgjidhja më logjike dhe si fillim u mendua që turi paraeliminator të mos zhvillohej fare, ndërkohë më pas të katër turet para finales të bëheshin me tek ndeshje.
Kështu katër mesjava të zëna nga kupa u liruan automatikisht. Sigurisht kaq nuk mjafton dhe në FSHF kanë menduar që ta paktën edhe turi i dytë i Kupës së Shqipërisë të zhvillohet gjatë periudhës së ndeshjeve ndërkombëtare, kur ekipet zakonisht janë pushim.
Mesjavën e ardhshme do të luhen takimet e turit të dytë, nga do të përcaktohet 8 skuadrat që kalojnë në çerekfinale. Pesë mesjavë të liruara dhe situata bëhet më e menaxhueshme, që kampionati të mos ngjishet pafundësisht në vijim. /abcnews.al