Ngjarjet që tronditën Kosovën/ Ridvan Berisha: Dhuna ndaj grave është në nivele shqetësuese

schedule16:44 - 2 Dhjetor, 2023

schedule 16:44 - 2 Dhjetor, 2023

PRISHTINË– Kosova në ditët e fundit është tronditur nga raste të rënda, të cilat kanë cenuar jetën, pronën, rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Ngjarja më e dhimbshme, e cila ka tronditurat mbarë opinionin shqiptar, është vrasja e Liridona Murselit, nënë e dy fëmijëve.

Për këtë ngjarje policia arrestoi bashkëshortin e saj Naim Murselin, i cili siç ka pranuar në Polici, ka paguar para për ekzekutimin e gruas.

Gazetari nga Kosova, Ridvan Berisha, tha se ngjarje e fundit ka rritur nivelin dhe ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët. Ai theksoi se reagimi i shpejtë dhe arrestimi i autorëve tregon se vullneti i Policisë për të goditur ngjarje të tilla është në nivel maksimal.

Sipas gazetarit, autoritetet duhet të jenë shumë vigjilente për rastet e denoncimeve të dhunës ndaj grave, të cilët bien pre e agresioneve të tilla.

“Ishin ngjarje që tronditen Kosovën. Ishte grabitja e argjendarisë në Suharekë, ishte vrasja e gruas, ishte dhe një akt tjetër i rëndë, në të cilin i dhëndri i mori jetën vjehrrit me thikë. Ishin ngjarje, të cilat goditën thellë ndjenjat e pasigurisë së qytetarëve.  Prokuroria dhe policia zbuluan autorët. Kjo dhunë është përhapur në numra alarmant. Dhuna ndaj grave është në nivele shqetësuese. Institucionet duhet t’i marrin seriozisht rastet denoncuese”, tha ai në Ballkan Update me gazetaren Linda Karadaku./ abcnews.al