Ngjarjet në Kosovë/Rusia ankesë zyrtare në OKB

schedule14:34 - 30 Mars, 2018

schedule 14:34 - 30 Mars, 2018

Sipas mediave serbe Rusia do të prezantojë një ankesë zyrtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sipas të cilës në Kosovë KFOR, Eulex si dhe misionete BE dhe NATO-s kanë dështuar.

Përfaqësuesit diplomatikë të Rusisë në organizatën e Kombeve të Bashkuara kanë marrë udhëzimin e qartë për të shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë. E përditshmja serbe “Veçernje Novosti” raporton se diplomatët rusë janë udhëzuar të theksojnë dështimet e KFOR-it dhe EULEX-it – misionet e NATO-s dhe të BE-së në Kosovë – si dhe shkeljen e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – të gjitha me qëllimin e qartë për të përforcuar  pozitën e Beogradit.

Vendimi i Kremlinit, sipas burimeve të Novosti, përveç se përfaqëson një mbështetje të fuqishme për Serbinë në arenën ndërkombëtare, është një nga pasojat e para konkrete të bisedës telefonike mes presidentit rus Vladimir Putinit dhe atij serb Aleksandër Vuçiç.

Gazeta shton se tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit u përshkallëzuan të hënën kur drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën dhe Metohinë Marko Gjuriç u arrestua në një operacion të njësisë speciale të policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës. /abcnews.al