Ngjarja në Tiranë, Qosja: E paralajmëruar, pista ku po hetohet

schedule18:23 - 30 Janar, 2019

schedule 18:23 - 30 Janar, 2019

Një ish-polic mbeti i vrarë mesditën e kësaj të mërkure në Selitë të Tiranës. Arben Bilali, ish-polic, u qëllua pranë banesës së tij. Për të folur për këtë ngjarje të rëndë në emisionin “Mbrëmje Ide” ishte i ftuar gazetari i kronikës Andi Qosja.

Ai tregoi edhe një nga pistat kryesore në të cilën po heton policia dhe që është ajo e hakmarrjes. Sipas gazetarit, kjo ngjarje ka qenë e paralajmëruar pasi ndaj viktimës ka pasur atentate edhe më parë.

“Ka qenë një ngjarje e paralajmëruar pasi ka pasur atentate ndaj tij. Policia duhet ta kishte në fokus këtë person. Familja dhe vetë vëllezërit që i janë ekzekutuar viktimës kanë pasur kundërshtarë disa nga grupet më të rrezikshme në zonën e Selitës. Edhe ngjarja e sotme është një ngjarje që ka sjellë si derivat 10 viktima si rezultat i dy përplasjeve. Anëtarët e familjes kundërshtare dyshohet se mund të jenë autorët e mundshëm janë pranë së njëjtë zonë.

Pista kryesore është ajo e hakmarrjes. Megjithatë janë shoqëruar disa persona. Ende sipas burimeve nuk është bërë e mundur identifikimi i autorit. Atentati dyshohet se është kryer nga të paktën 3 persona. Në pjesën e pasme të automjetit është qëlluar me një breshëri. Pjesa e pasme kishte 4 plumba ç’ka të lë të kuptosh që autori ka qenë shumë i saktë në atë që do bënte. Ka pasur edhe gëzhoja të një pistolete që dyshohet se e kishte viktima, i cili është kundërpërgjigjur me zjarr”, tha ai.

Në dy dekadat e fundit janë vrarë edhe vëllezër të tjerë të Arben Bilalit. I pari u ekzekutua Bujar Bilali në vitin 1998, ndërsa Leonardi, ish-mundës i Dinamos u qëllua për vdekje në Gusht të 2010-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!