Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një deklaratë për shtyp ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Kavajë ku një kalimtar i rastit mbeti i vdekur pas një përplasje me armë mes disa të rinjve.
Mësohet se kreu i shtetit ka telefonuar kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Isa Sakjen, dhe ka kërkuar që t’i përcjellë ngushëllimet familjarëve të të ndjerit, ndërkohë që uron shërim të shpejtë për të plagosurit.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen tepër të rëndë dhe tragjike, të ndodhur sot në qytetin e Kavajës, ku një qytetar i pafajshëm humbi jetën dhe disa qytetarë të tjerë u plagosën. Presidenti Meta pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z.Isa Sakja dhe i kërkoi t’i përcjellë ngushëllimet dhe solidaritetin e Tij më të sinqertë të afërmve dhe familjarëve të qytetarit që humbi jetën, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, thuhet në deklaratën e Metës.
Meta kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë, zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të saj, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. Ndër të tjera, ai thekson domosdoshmërinë e rritjes së gatishmërisë së Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese, për të marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike./abcnews.al