“Ngërçi” ekonomik Kosovë-Shqipëri/ Zusi: Qeveritë duhet të unifikojnë tregun e përbashkët. Gërxhalliu: Të krijojmë një zonë të përbashkët doganore

schedule21:09 - 1 Nëntor, 2024

schedule 21:09 - 1 Nëntor, 2024

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu shprehet se duhet të kryhen analiza për të zgjidhur “ngërçin” ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në emisionin “Sheshi i dollarit”, Gërxhaliu theksoi se duhet të ketë dialog dhe biznesi të “çlirohet” nga influenca politike e dy vendeve.

Presidenti i Qendrës shqiptare të Eksporteve, Alban Zusi shprehet se qeveritë duhet të unifikojnë tregun e përbashkët. Ndërsa profesori Adrian Civici shtoi se duhet të krijohet një zonë e përbashkët ekonomike.

Pjesë nga diskutimi:

Safet Gërxhaliu: Besoj se është duke munguar guximi për t’u ballafaquar me realitetin e raportit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk e di që ndonjëherë bëhen semirare apo debate që të analizohen arsyet e mosbesimit të krijuar mes ndërmarrësve në Kosovë dhe Shqipëri. Sot në Shqipëri bashkëpunojnë me këdo tjetër dhe jo me ato në Kosovë dhe e anasjellta. Sa më tepër ky problem anashkalohet, aq më e vështirë është të zgjidhet. Koha për veprim. Nuk ka nevojë Kosova dhe Shqipëria që të nënshkruajnë 200 marrëveshje, duhet të zbatohen dhe të jenë në funksion të avancimit dhe partneritetit. Bizneset vendore s’e kanë guximin të investojnë në Kosovë, janë aktivë në MV, Shqipëri po ky kapital nuk mbetet në Kosovë, besoj se një takim i mirëfilltë, konferencë shkencore që do të adresojë temën se pse nuk ka mirëbesim reciprok mes dy komuniteteve, që të jetë objektiv në të ardhmen.

Alban Zusi: Qeveritë duhet të unifikojnë tregun Shqipëri-Kosovë. Do të doja që të unifikohet i gjithë tregu i Ballkanit, por hapi i parë të inifikojmë tregun. Ndërmarrjet shqiptare duhet të kalojnë nga një treg me 2 milionë banorë në një me 4 milionë banorë. Kjo do të rrisë fuqinë e tyre në këtë treg të unifikuar por edhe në tregjet e tjera konkurrente të Ballkanit Perëndimor. Unifikimi i tregut rrit bizneset dhe krijon hapësira të tjera për të bërë biznes.

Adrian Civici: Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në kushtet e ekonomisë të tregut të lirë dhe marrëdhënieve midis vendeve dhe tregtare. Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë mund të ishin thjesht marrëdhënie të një zone tregrtare të lirë midis dy vendeve. Nëse duam që këtyre marrëdhënie t’i shtojmë edhe dimensionin kombëtar, më tepër se atyre që kërkon Procesi i Berlinit, këtu hyn në lojë vullneti politik dhe zgjidhje specifike për marrëdhëniet midis dy vendeve. Kanë koston e vet ekonomike por në emër të zhvillimit të përbashkët ekonomik është hap që duhet bërë. Pas unifikimit të tregut, vjen zona e përbashkët ekonomike dhe më pas integrimi ekonomik me ekonominë evropiane.

Safet Gërxhaliu: Nuk kemi bashkëpunim ekonomik më të avancuar. Besoj se është koha për dialog të pasur, jo të përcjellë nën petkun patriotik. Kosovës dhe Shqipërisë i duhet substancë zhvillimore, dhe në këtë drejtim nëse zgjidhen këto probleme, do të jemi më atraktiv, do të kemi kompani të përbashkëta dhe pse jo të kalohet në forma më të avancuara përmes një zone të përbashkët doganore, por më të avancuar. Në këtë drejtim, duhet që ekonomia të çlirohet nga influence politike. Duhet një spektër i aktorëve që të jenë të orientuar përndryshe do të jemi shtete që do të na ikë rinia, do të jemi të varura nga importi./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!