TIRANË- Ekonomia ka ruajtur një rritje të qëndrueshme edhe në tremujorin e dytë te vitit duke u mbështetur tashmë në sektorët tradicionalë.
Por, jo të gjithë degët e ekonomisë kanë dhënë kontribut pozitiv në ecurinë e saj. Bujqësia, që duhet të ishte dega kryesore e ekonomisë dhe e prodhimit për disa tremujor radhazi bujqësia duket se ka ngecur.
Eksperti për bujqësinë, Fatmir Guri, i ftuar në “Money Report” tha se sektori i bujqësisë është përballur me një vit të vështirë. Ai theksoi se te ulja rendimentit kanë ndikuar kushte klimatike.
“Bujqësia ka patur një vit që për shkak të klimës nuk ka qenë pozitiv, kemi pasur ngrica të vona, që ndikuan në bujqësi, por edhe në drutë frutorë. Kemi patuar një zgjatje të temperaturave të larta dhe këto ndikojnë në bujqësi dhe në uljen e prodhimit total, dhe për rrjedhojë të ndikimit të sektorit në ekonominë e vendit. Vitet e fundit ka pak investime në ketë sektor”, tha ai.
Eksperti apeloi për investime të shtuara në sektorin e bujqësisë.
Sipas tij, për t’i dhënë shtysë kësaj fushe, duhet hartuar një politikë strategjike për 15 vitet e ardhshme.
“Investimet në bujqësi duan kohë, që të japin efektet e tyre. Duhet të përgatisim bujqësinë tonë për 1O apo 15 vite në infrastrukturë dhe më gjerë. Bujqësia vazhdon të mbetet një sektor i nënfinancuar”, tha ai./abcnews.al

