Nga zgjedhja e Helena Paparizou tek pritshmëritë, Xhulio tregon gjithçka nga “The Voice of Greece”

schedule18:35 - 15 Dhjetor, 2022

schedule 18:35 - 15 Dhjetor, 2022

Xhulio Imeri është djaloshi i ri nga Gjirokastra që mahniti publikun grek e shqiptarë, si edhe jurinë profesioniste të “The Voice of Greece”, duke i bërë të katërt të kthejnë karriget e tyre.

Imeri vjen nga një familje këngëtarësh por kjo ishte eksperienca e tij e parë profesionale, me shumë emocione. Xhulio zgjodhi si mentore te tijën që t’i bashkohet skuadrës së saj këngëtaren Helena Paparizou. I ftuar në Abc e Pasdites me Ermal Peccin, këngëtari rrëfeu përse bëri këtë zgjedhje.

“E kisha bërë me plan. Helenën e kam shumë qejf e kam dëgjuar që kur fitoi Eurovision. Për stilin tim, për problemet që unë kam mendoj se do më ndihmoj shumë.”

Nuk është hera e parë që një këngëtar shqiptar merr pjesë në kompeticione jashtë vendit, duke treguar se sa të talentuar jemi. Njëkohësisht, Imeri pranoi se nuk është ndjerë i paragjykuar për shkak të origjinës së tij, dhe se kohërat kur shqiptarët shiheshin me nënçmim kanë kaluar.

“Ka ardh një kohë në Greqi, unë si Xhulio nuk e ndjej këtë pjesë. Ose unë përshtatem shumë me kulturën në Greqi, ose jam me fat. Kanë ndryshuar shumë gjëra, greku me shqiptarin rrijnë në një pallat, janë gjitonë.”

Por ajo çka është vënë re në komente të ndryshme të ndjekësve të “The Voice” apo në audicionin e Xhulios është një dyshim se ky i fundit e flet greqishten por refuzoi të fliste për një arsye apo një tjetër. Pas performancës Xhulio foli anglisht me anëtarët e jurisë, dhe këtë fakt e arsyetoi kështu:

“Tani po mësoj, u bë tre muaj që po mësoj greqisht dhe e kam shumë të vështirë që të formuloj një fjali të plotë. Është më e thjeshtë për mua të flas në anglisht sesa në greqisht për momentin.”

Por çfarë e pret Xhulion në të ardhmen?

“Para se të merrja pjesë në Voice kam filluar duke punuar në projektin tim të parë, albumin tim të parë në anglisht meqë jetoj jashtë dhe kam shumë ndjeksa të huaj. Janë 8-9 këngë gati, ta mbyllja si projekt dhe ta publikoja vitin që vjen. Në momentin që erdhi ftesa për Voice i kam bërë pauzë të gjitha. Të shohim sa do shkoj në Voice.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!