Nga trafiku i klandestinëve te lokalet pas orës policore, arrestohen 3 policë në Tiranë

schedule22:39 - 20 Tetor, 2021

schedule 22:39 - 20 Tetor, 2021

Tre efektivë policie u arrestuan në Tiranë dhe një është lënë në arrest shtëpie në kuadër të hetimeve që nisën për trafikun e klandestinëve në drejtorinë e Korçës, por që zbuluan abuzimet edhe nga punonjësit e kryeqytetit.

“Arrest në burg” është dhënë për Durim Murja, Jashar Shehu dhe Arjan Balla me detyrë trup shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1. Kurse me “arrest në shtëpi” është lënë Matilda Hamolli me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1.

Burime për ABC bëjnë me dije se efektivët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë lejuar disa lokale të qëndrojnë hapur edhe pas orës policore.

Ata kanë qenë prej disa muajsh nën vëzhgim pasi nuk kontrollonin mjetet qe dyshoheshin se trafikonin klandestinë. Teksa mbaheshin nën vëzhgim ka rezultuar që efektivët lejonin të qëndrojnë hapur edhe disa lokale jashtë orës policore.

Të shoqëruar janë edhe disa pronarë lokalesh. Hetimet nisën nga Korça duke sjellë pezullimin nga detyra të 6 punonjësve, mes tyre dhe dy shefa, të qarkullimit dhe komisariatit./ Abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!