Urdhri i miratuar i datës 16 shkurt lidhur me protokollin dhe masat e plota që duhet të marrë personeli mjekësor kundër koronavirusit, botohet në fletoren zyrtare.
Sipas urdhrit në rastet kur ka të dyshuar se mund të jenë të prekur ose konfirmuar për koronavirusin, është e rëndësishme që mjekët përpos maskave dhe higjienës, duhet që të qëndrohet nëse është e mundur një metër nga pacienti.
Si është protokolli i veprimit për personelin?
Në urdhrin e miratuar specifikohet që pas thirrjes nga qytetarët përmes telefonit dhe pyetjeve, infermieri i vlerësimit njofton menjëherë mjekun primar i cili aktivizon misionin duke filluar nga hospitalizimi i pacientit. Mjeku primar më pas njofton spitalin Infektiv.
Por çfarë ndodh me pacientët në moshë madhore që kanë edhe një sëmundje shoqëruese, që janë më të rrezikuar?
Në rastet kur pacienti është në gjendje kritike për jetën ai duhet të transportohet në terapi intensive ose në urgjencën e spitalit përkatës. Nëse pacienti nuk është në gjendje kritike për jetën do të hospitalizohet në urgjencën e spitalit përkatës ose në spitalin infektiv në QSUT.
Të gjitha rastet që nuk janë kritike për jetën do të referohen dhe transportohen për në QSUT, në spitalin infektiv.
Gjithashtu Urgjenca Kombëtare ka publikuar edhe skemën se si do të veprohet, hap pas hapi për të gjitha shkallët që duhet që të ndiqen në rast dyshimi për qytetarë të infektuar me koronavirus.
Shqipëria prej disa javësh mori masat për kontrollet e rrepta edhe në kufi, ndërsa në urdhër theksohet se nëse do të kishte probleme me komunikimin me pacientët kinezë duhet të kërkohet ndihma e ambasadës kineze në Tiranë.
Me identifikimin e të prekurve të parë me koronavirus në Shqipëri, qeveria sot vuri në fuqi planin e veprimit, hartuar sipas orientimeve dhe protokollit të përgjithshëm të OBSH-së që konsiston në 3 pika.
Kufizimi, me qëllim parandalimin e përhapjes; vonimi, shtyrja në kohë e përhapjes së infeksionit dhe lehtësimi i pasojave që mund të sjellë infektimi me COVID-19.