Alessio Hyseni para pak muajsh mbushi 23 vjeç dhe pak javë më vonë bëri atë që asnjë shqiptar nuk e ka çuar ndërmend më parë: shkoi të luante në një shtet më të vogël se Vlora e tij, Ishujt Faroe.
Një territor autonom brenda mbretërisë së Danimarkës, Ishujt Faroe është një arkipelag me rreth 52.000 banorë, mes Norvegjisë e Islandës, por që nuk ka ndonjë lidhje të madhe futbollistike me këto vende.
Një vend i ftohtë, por jo edhe aq shumë, sepse mesatarja e dimrit është 5 gradë mbi zero dhe vera rreth 12 gradë. Me pak fjalë, një vend i mirë për t’u vizituar, por deri para pak vitesh nuk ishte ndonjë parajsë futbolli.
Vitet e fundit gjërat kanë ndryshuar për mirë, Ishujt Faroe kanë shkëlqyer në disa ndeshje me kombëtaren dhe klubet pak nga pak po kthehen të gjitha në profesioniste, duke u munduar të ecin në gjurmët e Islandës, që në dekadën e fundit është kthyer në një kombëtare serioze.
Vjet Hyseni doli kampion dhe fitoi Superkupën me Partizanin, por nuk mund ta quajë veten lojtar me fat, sepse një dëmtim i rëndë e la jashtë gjithë sezonin e shkuar dhe këtë sezon luajti vetëm në derbin e fituar nga Tirana në dhjetor.
Në janar doli në dritë opsioni KI Klaksvik: kampionët e Ishujve Faroe siguruan një mal me para verën e shkuar, sepse kaluan dy ture në Europa League dhe u ndalën vetëm nga Lucerna në turin e tretë, ndaj kërkonin përforcime cilësore, për të hedhur një hap më tej, në një kampionat gjithnjë e më serioz.
KI Klaksvik i paraqiti Partizanit një ofertë huazimi për mesfushorin vlonjat, ofertë që ndoshta i habiti të gjithë në klubin e kuq, por vetë Hyseni vendosi të pranonte, pa u menduar gjatë. I duhej qetësi dhe i duheshin minuta, te Partizani nuk i kishte.
Starti ishte perfekt: në debutimin në 3 mars KI fitoi Superkupën me 11-metërsha kundër HB Torshavnit, ndërsa Hyseni shënoi një nga penalltitë.
Më pas gjithçka u ndal nga Coronavirusi, por Ishujt Faroe u bënë të parët që rinisën futbollin pas ndërprerjes, sepse në 9 maj nisi kampionati. Në 6 ndeshje, KI ka 13 pikë, me 4 fitore e një barazim, ndërsa Hyseni ka luajtur çdo ndeshje në formacion.
Paraqitjet e tij kanë qenë impresionuese, me një kontribut të jashtëzakonshëm në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese, ndaj edhr drejtuesit e klubit të vogël nga Klaksvik do të mundohen ta mbajnë edhe matanë përfundimit të huazimit, në fund të kësaj vere.
Vetë Hyseni nuk është kundër qëndrimit në Ishujt Faroe: po luan futboll, ka kushte shumë komode dhe në të ardhmen mund të tentojë kalimin në një nga kampionatet skandinave me nivel më të lartë. Partizani ka ende në dorë të ardhmen e tij dhe me siguri në javët e ardhshme do të vendosë.
Nëse nuk i garantohet ndopak hapësirë në Tiranë, Hyseni zor se do të pranojë të kthehet, aq më shumë që ka pasur sinjale të forta edhe nga kampionati i Kosovës, aty ku klubet po fuqizohen gjithnjë e më shumë dhe po joshin futbollistët e kampionatit shqiptar, me aspektin financiar, por edhe seriozitetin e vet. / abcnews.al