“Nga shtresë në nevojë në investitor strategjik,”Bardhi: Si po përfiton Xhaçka pronat publike

schedule15:58 - 23 Qershor, 2022

schedule 15:58 - 23 Qershor, 2022

Deputeti Demokrat Gazment Bardhi, ka publikuar një dokument në llogarinë e tij në Facebook, me anë të të cilit tregon sesi sipas tij, mund të kalosh nga “shtresë në nevojë në investitor strategjik.”

GAZMENT BARDHI NË FACEBOOK

“Vetëm me firmë te Edi Ramës mund të ndodhë që sot të jesh “shtresë në nevojë” dhe të përfitosh “pagë lufte” 400 mijë lekë të vjetra, dhe të nesërmen të gdhihesh investitor strategjik që ke kapacitet financiar për të investuar as më shumë dhe as më pak, por plot 5.5 milion euro. Ky është rasti i përfitimit të paligjshëm të pronave publike nga ministrja Olta Xhaçka!”

Kujtojmë se në seancën e sotme plenare, Bardhi solli në vëmendje që ligjet në fuqi e ndalojnë kryeministrin Edi Rama që “t’i japë favore pasurore familjes së Ministres Olta Xhaçka.

 

FJALA E BARDHIT NË PARLAMENT

“Lidhur me rastin tashmë të bërë publik dhe për të cilin ky parlament duhet të veprojë pa asnjë vonesë, përfitimin e pronave publike nga Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme dhe deputetja e PS Olta Xhacka, faktet janë të pakontestueshme.
 
Më 21 tetor 2015, bashëkshorti i Ministries Xhacka, z. Artan Gaci krijon kompaninë AG. TCC shpk, me objekt veprimtarie investime ne hoteleri-turizem. Asokohe z. Gaci ishte deputet i Partisë Socialiste dhe një nga votuesit e ligjit për investimet strategjike.
 
Në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, me firmë të Edi Ramës, kompania në pronësi të bashkëshortit të Ministres Olta Xhacka, ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar.
 
Ky është vendimi i firmosur nga Edi Rama që ndër të tjera parashikon masat lehtësuese që përfiton kompania në pronësi të bashkëshortit të Ministres, si dhe lejimin për përdorimin e brigjeve të detit si dhe zonën përkatëse të plazhit, për një afat të garantuar 30 vjecar. Brigjet e detit dhe plazhi përkatës është pasuri publike, që i jepet në përdorim për 30 vjet, pa garë, bashkëshortit të ministres.
 
Më datë 25/06/2021 znj. Tawni Lin Grzych-Sutton, kunata e Ministres Olta Xhacka, studente në Tiranë, krijon me një kapital prej 500 milion lekesh kompaninë private AGTCC HOTEL MANAGEMENT, me objekt veprimtarie “shërbim hoteleri turizëm”.
 
5 ditë pas krijimit, kompania e kunatës së ministres lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë e bashkëshortit të ministres, për administrimin e pasurisë publike që ky i fundit ka përfituar si investitor strategjik; pra brigjet e detit dhe plazhin në zonën e Gjilekës, Bashkia Himar.
 
Kjo marrëveshje vetëm 15 ditë më vonë, më datë 15 Korrik 2021 reflektohet në një tjetër vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, ku me firmë të Edi Ramës, konfirmohet përfitimi i statusit të investitorit strategjik, masat mbështetëse dhe e drejta për përdorimin e pasurisë publike – brigjeve të detit dhe plazhit, nga kompanitë e bashkëshortit dhe kunatës së Ministres Olta Xhacka.
 
Në vijim, me vendimin nr. 137, datë 2 Mars 2022, Këshilli i Ministrave, po me firmë të Edi Ramës, ka konkretizuar dhënien e të drejtës së përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit për kompaninë familjare të Ministres Olta Xhacka, duke detyruar Bashkinë Himarë të lidhë kontratën me to.
 
Konkretisht, të dashur bashkëqytetarë bëhet fjalë për këtë pronë, përfshirë edhe pronën publike që i jepet familjes së Ministres Olta Xhacka për 30 vjet.
 
Dhënia e pasurisë publike për qëllime fitimi dhe ushtrimi të veprimtarive fitimprurëse, është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve kushtetuese dhe ligjore. E gjithë vendimmarrja e Edi Ramës dhe institucioneve publike në këtë rast është e kundraligjshme.
 
Neni 70, pika 3 e Kushtetutës parashikon qartësisht se “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.”. Ky ndalim kushtetues është detajuar edhe në ligjin Nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.
 
Sipas këtij ligjit, Ministri nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj. Për më tepër, deputetit apo ministrit dhe shoqërive tregtare ku ai zotëron, në mënyrë aktive apo pasive, aksione a pjesë në kapital, në çfarëdo sasie, nuk i lejohet të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik. Këto ndalime sipas ligjit veprojnë njëlloj edhe për bashkëshortin e deputetit apo ministrit. Madje për ta bërë më të thejshtë këtë ndalim, ligji parashikon se në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e bashkëshortit, ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë deputetit apo ministrit dhe bashkëshortit i kufizohen të drejtat pasurore për to, në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë deputetit apo ministrit.
 
Sic shikohet ligjet në fuqi ndalonin Edi Ramën që t’i jepte favore familjes së Ministres Olta Xhacka. Pra befas, me firmë të Edi Ramës Ministra Olta Xhacka shndërrohet në investitore e 5,5 milion eurove, duke përfituar pasuri publike.”