Ndër vite politika por edhe institucionet e larta të shtetit, kanë njohur disa të burgosur “VIP” . Një prej tyre është Fatos Nano i cili u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Më 30 korrik 1993, shefit të opozitës së atëhershme dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nanos iu hodhën prangat nën akuzat për korrupsion nga regjimi i ri demokratik që erdhi në pushtet më 22 mars 1992. Kreu i socialistëve u dënua nga drejtësia shqiptare me 12 vite burg dhe vuajti dënimin në burgun “Jordan Misja” deri në vitin 1994 dhe në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës deri në vitin 1997, kohë kur edhe u lirua.
Një i dënuar tjetër është edhe Spiro Ksera. Ksera ka qenë ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale në mandatin e dytë të qeverisë Berisha, por u dënua me 1 vit e 8 muaj burg, për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës. Ish-Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, fillimisht anëtar i PBDNJ, ai iu bashkua PD-së në vitin 2009 dhe u zgjodh deputet i saj për Gjirokastrën. Në vitin 2016 Gjykata e Tiranës e dënoi me një vit e 8 muaj burg, për vjedhje dhe shpërdorim të detyrës përgjatë vitit 2013. Sipas prokurorisë ish-ministri akuzohej se kishte abuzuar me fondet e buxhetit të shtetit në shumën e 30 milionë lekëve.
Burgun e ka provuar edhe ish-deputeti i PKD-së Mark Frroku, i cili fillimisht u arrestua në vitin 2015 pas atentatit të pretenduar të Tom Doshit, ku u ndalua për deklarim të rremë. Më vonë gjykata e Tiranës ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burg ish-deputetin Mark Frroku për tre akuza të ngritura nga prokuroria, por jo për atë të vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë, e cila ishte edhe me e rënda. Sipas vendimit të togave të zeza, ish-deputeti Mark Frroku u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në vitin 1999, në Belgjikë. Por nga ana tjetër, e njëjta gjykata e shpalli fajtor Frrokun për 3 akuza të tjera; atë të fshehjes së pasurisë, pastrim i produkteve të veprës penale dhe ndërtimit të paligjshëm. Në vitin 2018 gjykata e apelit i uli dënimin, ndërsa kur i kishin mbetur dhe rreth 2 vite burg ai u lirua në maj të vitit 2018 nga qelia në burgun e Fierit.
I fundit ish-ministër i cili provoi prangat dhe është në pritje të procesit gjyqësor është Lefter Koka. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka njoftuar se dyshohet se Koka ka konsumuar veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë burgun e ka provuar edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u dënua të premten (04.02) nga GJAKK me burg me akuzën për shpërdorim të detyrës. Pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJAKK), organi i akuzës firmosi urdhër – arrestin. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli me pranga në duar nga salla e kësaj gjykate dhe u dërgua në mjediset e paraburgimit të burgut 313, burg i sigurisë së zakonshme, që ndodhet në Tiranë.
/abcnews.al/