Më shumë se 150 intelektualë, mes të cilëve, shkrimtarë, artistë dhe akademikë, me anë të një letre të hapur kanë kërkuar që të mos lejohet përhapja e ekstremizmit antiracist. Ata janë kundër rrëzimit të statujave apo censurimeve që po bëhen në media si pasojë e kërkesave të protestuesve kundër vrasjes së afro-amerikanit Floyd nga një agjent policie, shkruan La Repubblica.
Ka feministe si novelistja Margaret Atwood, afro-amerikanë si muzikanti i jazz Wynton Marsalis, guru i së majtës radikale si Noam Chomsky, mbrojtës të fjalës së lirë si Salman Rushdie, autore si JK Rowling mes më shumë se 150 akademikëve, shkrimtarëve, gazetarëve dhe artistëve me famë ndërkombëtarë që kanë firmosur një letër të hapur të publikuar në revistën Harper e që më pas është ripublikuar dhe nga New York Times.
Ata rebelohen kundër klimës së gjuetisë së shtrigave që dominon në botën e kulturës dhe të medias pas vrasjes së George Floyd, intolerancës së re të ekstremistëve anti-racizëm dhe të atyre që rrëzojnë statujat; të të gjithë atyre që kërkojnë spastrime në redaksi, censurojnë opinionet ndryshe, imponojnë një mendim të vetëm politik, raporton abcnews.al
Ata kanë mbështetur dhe madje kanë marrë pjesë në manifestimet kundër dhunës së policisë dhe pabarazive raciale që u shumëfishuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të gjithë botën pas vdekjes së George Floyd. Ai ishte i paarmatosur dhe afro-amerikan. Një agjent policie mbajti gjurin e në fytin e tij për rreth 9 minuta në 25 maj në Mineapolis, duke e mbytur. Gjithsesi letra thotë dhe se reagimet shkuan përtej debatit të hapur duke lejuar konformizmin ideologjik të gërryejë tolerancën e ndryshimeve.
Në letër lexohet dhe se protestat e fuqishme për drejtësi sociale dhe raciale nuk duhet të transformojnë rezistencën në një markë dogmatike. Shkëmbimi i lirë i informacioneve dhe ideve po bëhet gjithnjë e më shumë i kufizuar, paralajmërojnë intelektualët të cilët shtojnë se censura po përhapet gjerësisht në të gjithë kulturën nëpërmjet praktikës së turpërimit publik duke e çuar situatën drejt një intolerance për opinionet e kundërta,
Letra përfundon me refuzimin e çdo zgjedhjeje të rreme mes drejtësisë dhe lirisë pasi njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën./abcnews.al

