Jemi nisur në mëngjes nga Tirana për në pikën kufitare kryesore që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, për në Qafë Thanë. Qafë Thanë është një kalim malor në brigjet e liqenit të Ohrit dhe në dy anët e kufirit, janë qytetet e bukura të Pogradecit, Strugës dhe Ohrit. Ecim përgjatë rrjedhës së Shkumbinit që gjarpëron butë në një ditë me diell përmes qyteteve, qytetzave të vogla dhe fshatrave që shfaqen si në një kartolinë të madhe në mallet dhe kodrat përreth.
Këtu punohet në ndërtimin e rrugës së re Elbasan-Qafë Thanë, që është pjesë e korridorit VIII, duke shtuar dhe ndërtimin e një tuneli me gjatësi 3 kilometra. Ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku thotë se kjo është një pjesë e rëndësishme e korridorit të VIII-të, që nis nga fshati Labinot Fushë dhe vazhdon deri në afërsi të Qafë Thanës. Qyteti I parë në anën e Shqipërisë është Pogradeci i bukur, i Lasgushit dhe Mitrushit. Pogradecarët na tregojnë për kohët e kaluara, kur duhej të merrje leje në degën e brendshme për të shkuar qoftë edhe në një dasëm. Por pogradecarët janë krenarë për qytetin e tyre, të cilin e adhurojnë. “Pogradeci i zhvilluar qe me kohe, po nuk ia kane ditur vlerat”. “Liqeni më I bukur është këndej”. “Pogradecar puro, gjyshi, stergjyshi ketu kemi qene”.
Kjo është dashuria e tyre e pakufi për qytetin, për të clin thonë: “Eshte vendlindja ime, nuk e nderroj me asgjë”. Fshati Lin është më afër kufirit, duket sikur e ka “perqafuar” liqenin. Këtu edhe pensionistët punojnë, por nuk harrojnë as të bëjnë humor me veten. “Prona kemi pake, sa te gjindet Kola ne pune”, na thotë një prej tyre. Trau i hekurudhes që të çon në Lin ka qenë dikur si tra kufiri, sepse nëse nuk ishe banor i fshatit, duhet të merrje leje të posaçme për të hyrë. Edhe këtu nuk mungon humori. Te pelqen me shume Pogradeci apo Struga, e pyesim një nga banoret. “Me pelqen me shume Lezha se jam prej andej”, na thotë.
Pika kufitare e Qafë Thanës ndodhet në malet juglindore të Shqipërisë dhe është një “portë primare” mes dy vendeve. Në verën e 2023, në Qafë Thanë hyri në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”, duke lehtësuar kalimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuara.
Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski ishin në këtë pikë kufitare në ceremoninë e programit të ri kufitar.
Kalojmë kufirin dhe shkojmë drejt Strugës, duke ndjekur rrugën malore, me liqenin që herë del e here fshihet dhe me Drinin e Zi, që duket sikur të zë prite dhe shfaqet papritur. Dy të moshuar nga Elbasani janë të parët që takojmë në Strugë, “hame nje dreke, dalim nje here per qejf”, na thonë. Një banor i Strugës që pi herët kafen e mëngjesit, ankohet për mërgimin që ka marrë djemtë, por edhe na tregon për dashurinë për Pogradecin në anën tjetër të kufirit dhe Korçën.
“Nusen e vogel e kemi pi Korçe, ja korçare, ja hiç fare”, na thotë. Sherif Blloshmi, sharrëxhiu nga Qukesi, punon këtu prej dekadash. “Punoj me sharre, mbaj shtepine, aq”, na thotë.
Premton Elmazi, është një nga struganët që takojmë këtu. “Shqiptare andej, shqiptare ketej, vetem qe ka kufi, se ndryshim te madh nuk ka”, na thotë. Ecim drejt Ohrit, ku dy shqiptarë nga ana tjetër e kufirit punojnë këtu duke rregulluar çatitë. Festim Mazelli flet për punën e lodhshme të krahut, por edhe ai, e kthen me humor. “Nuk te do as babai po nuk punove”, na thotë. Kthehemi duke ndjekur edhe pak rrugën në brigjet e liqenit të Ohrit, që duket sikur luan, herë duket, e herë zhduket ndërkohë që kodrinat e buta ia mbulojnë sytë. Në vesh ende tingëllon krenaria e banorëve të liqenit në të dyja anët e kufirit, që ngrenë në qiell liqenin bukurosh që sot furfurin ëmbël nën rrezet e diellit, duke na sjellë ndërmend vargun e Lasgushit: Po dremit liqeni i kaltër…