Mes poezisë dhe aktrimit, i riu shqiptar rrëfehet për jetën e tij përtej kufizimeve

schedule08:16 - 16 Mars, 2022

schedule 08:16 - 16 Mars, 2022

Dritan Thomaraj ka arritur të depërtojë në shpirtin e qindra lexuesve përmes talentit të tij. Ka studiuar për Financë dhe Kontabilitet por vetveten e ka gjetur më shumë te poezia. Dritani, i cili ka botuar disa libra, ishte i ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi më shumë rreth pasionit për të shkruar.

Dritani tregoi se ka studiuar në fakultetin e Ekonomikut por rrjedha e jetës e çoi drejt poezisë. Për gazetarët në studio, ai tregoi se një problem shëndetësor me të cilin ka lindur e ka penguar që të gjente një punë në profesion. Megjithatë, kjo s’e ka penguar të krijojë poezi dhe t’i hedhë në një libër për të gjithë.

“Kam mbaruar për financë dhe kontabilitet. Nuk kam gjetur një derë të hapur dhe thoshin gjithmonë atë shprehjen ‘do t’ju kontaktojmë’. Ka ndikuar dhe gjendja ime. Nuk e përjetoj emocionalisht, pasi jam me parimin se nëse nuk të hapet një derë ka 7 të tjera.”, u shpreh Dritani.

Përveç poezisë, Dritani e ka gjetur veten dhe në aktrim. “Arti ka qenë një rrugëtim i pandarë që kur kam filluar shkollën deri në 9-vjeçare. Kam filluar të shkruaj që në moshën 15-vjeçare. Gjithmonë kam pasur një derë të hapur tek arti, pastaj hyra te aktrimi.”, tha ai. /abcnews.al