Sot në studion e “ABC e Mëngjesit” ishte i ftuar një emër që lidhet ngushtë me historinë dhe trashëgiminë muzikore shqiptare; Aurel Bariu, drejtuesi kulturor i grupit “Sazet e Përmetit” dhe njëherësh nipi i legjendës së klarinetës shqiptare, Laver Bariut.
Me rrënjë të thella familjare në këtë art, ai ka zgjedhur jo vetëm të ndjekë gjurmët e gjyshit e xhaxhait të tij, por edhe të udhëheqë me krenari dhe kreativitet ansamblin që përfaqëson shpirtin e jugut “Sazet e Përmetit”.
“Gjyshi im Lefteri dhe Laver Bariu kanë qenë vëllezër. Ishte një trashëgimi që nuk mund të lija pas dore,” – tha Aurel Bariu në intervistë.
Dashuria për muzikën nisi që në fëmijëri. Në moshën 5-vjeçare, Aurel u ul për herë të parë në piano, një instrument që sipas tij ishte më i lehtë për të nisur rrugëtimin muzikor. Me kalimin e viteve, nisi të mësonte fizarmonikën, më pas fyellin dhe në moshën 12-vjeçare klarinetën, një instrument që, siç shprehet vetë, “na personifikon ne si familje dhe si traditë.”
“Laveri donte që të kaloja tek klarineta. Më ka mësuar vetë, por ishte shumë kërkues. Nuk të lëvizte gishti mire, të kthehej gjithçka në mësim.”
Sot, Aurel Bariu është në krye të grupit “Sazet e Përmetit”, duke ruajtur me fanatizëm traditën e muzikës permetare, por edhe duke e pasuruar me elementë të rinj dhe materiale të reja.
Ansambli që drejton ka qenë aktiv brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke përfaqësuar vendin në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Për punën dhe talentin e tij, Aurel Bariu është zgjedhur si udhëheqësi më i mirë artistik nga Federata Europiane e Festivaleve Folklorike. / abcnews.al/


