Nga notar në rrobaqepës/ 82-vjeçari ka ushtruar disa zanate: Kam qenë arbitër dhe mekanik

schedule20:33 - 11 Nëntor, 2023

schedule 20:33 - 11 Nëntor, 2023

Dyert e punishtes së tij të vogël i hap çdo mëngjes para orës 08:00. Fytyra e qetë e me ndonjë rudhë tek tuk, ja fsheh vitet, por ai gëzon plot 82 të tilla.

Kasëm Kasemin sot e gjen pas makinës qepse ku u shërben plot dashuri e kujdes banorëve të Sarandës.

Nuk ka qenë gjithë jetën rrobaqepës. Tregon se ka ushtruar profesione të ndryshme.

“Not, trajner, shef i klubit, arbitër, gjyqtar noti i kategorisë ndërkombëtare, kam arbitruar ndeshje me Korfuzin këtu, në Janinë edhe në Igumenicë”.

Në fëmijëri është ushtruar në not, në vitet më pas është bërë notar profesionist saqë ka marrë edhe tituj.

“Mora fillimisht në moshtë të vogël notin, sepse edhe shtëpinë e kisha buzë detit, zinim edhe ndonjë peshk. Na lidhi interesi për detin edhe u bëmë notarë. Kur isha 10 vjeç shkova në garat në kampionatin kombëtar në Durrës me të rinjtë, zura vendin e parë, mora edhe një shpërblim, 400 lekë. Pastaj 13 vjeç fillova rrobaqepës, u bëra trajner, u bëra drejtor i sportit, në vitin 1969, 6 vjet.”

Për një periudhë të gjatë kohore ka shërbyer edhe si arbitër.

“Kur isha shef klubi u bëra edhe arbitër, në vitet 1970-1971. 23 vjet si arbitër, eca mirë.”

Një profesion që e ka ushtruar po me aq pasion, ka qënë edhe ai i mekanikut.

“Punoja në makinë, detyrimisht do shiikoja defektet do i bëja edhe vetë, se nuk kishte mekanik. Pastaj dola unë mekanik, lashë rrobaqepsinë, kalova mekanik direkt”.

Ndër gjithë këto profesione, rrobaqepsia është ajo që ia do zemra më së shumti, e cilësoi zanat të qetë e të pastër.

“Nëpërmjet sportit m’u dha mundësia, në atë kohë, ata që ishin sportisë të kategorisë së parë, merrnin punë të privilegjuar dhe më futën rrobaqepës. Punova 17 vjet. Pasioni erdhi duke punuar, punë e pastër”.

Në këtë kohë të jetës kur e pyet për dallimin mes viteve të demokracisë e atyre para saj shprehet se vitet e shkuara, miqësia ka qënë me e çmuar e zanatet më të vlerësuara.

“Të tëra të mira ishi, edhe miqësia ishte më e mirë, nuk krahasohet me sot. Sot është shumë e vështirë. Unë nuk shkoj më, nuk më pëlqen. Është cilësia shumë e dobët, gjykimet në kategoritë e ulëta nuk përputhen”.

Edhe pse plot 82 vjeç, Kasëmi thotë se nuk do të heqë dorë nga puna pasi pa të nuk ka jetë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!