Nga muzika në kërcim, kush është djali nga Laçi që po bën namin në Danimarkë

schedule09:06 - 29 Nëntor, 2021

schedule 09:06 - 29 Nëntor, 2021

Jimilian Ismaili ka arritur t’i bëjë vend vetes mes yjeve të showbizz-it në Danimarkë. Mirëpo rrugëtimi i tij nga një emigrant në një yll muzike dhe tanimë kërcimi, nuk ka qenë aspak e lehtë. Ishte vetëm 5 vjeç kur u largua bashkë me familjen e tij drejt Danimarkës.

Merret prej vitesh me muzikë ndërsa së fundmi është vlerësuar me çmimin e parë në spektaklin e kërcimit në Danimarkë, “Vild Med Dans”. Ky i fundit është versioni danez i spektaklit të kërcimit, “Dancing With the Stars”. Në një lidhje me Skype për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ai tregoi se ndihet i lumtur për arritjet e tij.

“Vitin e kaluar bëra një këngë dhe i shkrova Dancing With the Stars nëse mundem të këndoj. Më thanë jo por mundesh të vish vitin që vjen për të kërcyer. Thashë kjo qenka shumë më mirë. Është eksperiencë e madhe për mua, te finalja këndova këngën dhe fitova. Më vjen shumë mirë.”, tregoi mes të tjerash ai.

Talentin në muzikë e ka trashëguar nga i ati, i cili është marrë gjithashtu me muzikë përpara se të emigronte jashtë vendit. Sa i përket jetës personale, ai tregoi se është në një lidhje me një vajzë daneze, të cilën e ka njohur shumë vite më parë së cilës i ka kushtuar dhe një këngë.

/abcnews.al