Armand Duka foli nga Tel Avivi për duelin me Izraelin dhe të ardhmen e trajnerit Edy Reja. Kreu i FSHF-së për Supersport ka deklaruar: “Futbolli i prodhon këto, disa herë fitore, herë të tjera jo. Nuk mund të themi se është një finale, por një ndeshje e rëndësishme për këtë kompeticion, sepse mund të nga çojë në vend të parë, por edhe në të fundit. Me dy fitore, ose dy rezultate pozitive, mund të luajmë në Ligën A në edicionin e ardhshëm, në play off për Europianin, luajmë për një short më të mirë, pra do të kishim disa benefite”.
“Skuadra është përgatitur mirë dhe shpresoj ta marrim rezultatin pozitiv në Izrael. Është një ekip shumë i fortë, luan në shtëpinë e vete dhe ka pikë më shumë se ne. Mbase edhe gjendjen emocionale e ka më të mirë, sepse është në krye të grupit. Të shohim, fusha do ta ndajë”.
“Mungesat? Në asnjë rast në bisedat me futbollistët dhe trajnerin nuk e pranoj justifikimin që kemi mungesa, ata që janë më të mirë janë këtu, kanë nivelin sportiv për të bërë gjithçka mirë në fushë, por na duhet edhe pak fat. Futbolli luhet 11 kundër 11. Në fakt nuk thashë kemi mungesa, por nuk duhet të ndërtojmë alibi me mungesat.
Më të mirët janë këtu, si për ne dhe për Izraelin. Futbolli ky është, njeh edhe dëmtimet, edhe kartonët. Nuk mund të luash në një kompeticion me 10 futbollistë, duhet të kemi minimalisht 30 dhe ne i kemi. Diferencat mes lojtarëve në cilësi nuk janë aq të mëdha, kështu që i kemi të gjitha mundësitë për të bërë gjithçka mirë, sikurse edhe Izraeli”.
REJA – Do të jetë kulmi i gëzimit tim dhe i çdo shqiptari nëse dalim në vendin e parë. Pa dyshim që do të diskutojmë me trajnerin. Trajneri i Kombëtares, siç e kam thënë, ka bërë një punë shumë të mirë dhe vazhdon ta bëjë atë dhe nëse do të duhet të vazhdojmë në të ardhmen pa dyshim që do të jetë diskutim konsensual mes meje dhe trajnerit.
Nuk do të ketë një divorc të sforcuar, pavarësisht nga rezultatet. Dhe kjo nuk do të thotë se vërtetë do të ketë një ndarje. Nëse do të jetë dëshira e tij për të vazhduar dhe nëse e sheh se mund ta ndihmojë ende kombëtaren, pse jo”, u shpreh presidenti i FSHF-së, Armand Duka. / abcnews.al