Nga menaxher në pronar i restorantit, historia e kuzhinierit shqiptar që fitoi medalje ari: Pjata e parë që bëra ishin fasule

schedule08:25 - 28 Shtator, 2022

schedule 08:25 - 28 Shtator, 2022

U largua vite më parë drejt Italisë për një jetë më të mirë dhe tanimë zotëron një restorant të tij. Ardit Curri ëndërronte të studione për juridik ose psikologji por nuk do ta mendonte se do të përfundonte te kuzhina. Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, ai rrëfeu se si u bë pjesë e kësaj fushe.

“Jam shpërngulur në 2005 dhe ideja nuk ishte të bëhesha kuzhinier por thjesht po kërkoja diçka ndryshe dhe të re. Nuk e kisha idenë se çfarë po kërkoja, kur erdha këtu mu dha mundësi të studioja. Në atë kohë pëlqeja juridikun ose psikologjinë. Më dukej shumë e gjatë si kohë dhe u futa te bota e kuzhinës.”

Më tej, ai tregoi se donte të zgjeronte njohuritë dhe jo të punonte vetëm si një kamarier. “Ishte fati im të njihja profesorin e kuzhinës dhe deri diku ma hodhi si sfidë dhe më tha ‘provo të gatuash’. Sot 15 vite më pas, jam akoma në kuzhinë. Pjata e parë që kam gatuar ishte fasulja.

Më tha di të gatuash dhe i thashë ‘këtë di mos më thuaj gjë tjetër.”, tha Arditi, i cili ka marrë pjesë në disa kompeticione dhe është vlerësuar me medalje ari për skulptura me sheqer. Arditi tanimë zotëron restorantin ku punonte prej vitesh si menaxher.

“Kisha ardhur në një pikë ose të kisha zgjidhjen time në dorë ose të kërkoja diçka timen. Arrin në një pikë që do të ketë lirinë në atë çfarë mendon apo krijon, e ndjen si e drejta e botës. Pastaj nëse nuk bën këtë hap mbetesh diku dhe do të kërkosh miratimin e dikujt.

Pak nga karakteri pak nga prejardhja, të jemi poshtë dikujt e kemi pak të vështirë. Kështu që pronarët e mëparshëm ishin dakord për këtë gjë.”, tregoi ai. Megjithatë, ai shprehet se pavarëissht specialiteve që realizon, buka me vaj ulliri, djathë dhe domate mbetet e preferuara e tij. /abcnews.al