Nga mbetjet, Veliera e Porti, Xhaferaj-mazhorancës: Keni vjedhur potencialin e Durrësit për interesat tuaja

schedule19:25 - 25 Tetor, 2021

schedule 19:25 - 25 Tetor, 2021

Nga foltorja e Parlamentit, deputeti i Durrësit Ferdinand Xhaferaj ka listuar një sërë rastesh që tregojnë, sipas tij, sesi është masakruar qyteti bregdetar ë shumë drejtime. Ai solli në vëmendje situatën e plehrave që u krijua në Durrës gjatë verës. Sipas tij, bëhej fjalë për një skemë të bërë me qëllim për të vendosur rritje të çmimit .

“Ia keni arritur ta masakroni këtë qytet në shumë drejtime. Verën që kaloi shtuat masakrën mjedisore…që mbetjet të shkonin në Sharrë tek ortaku i qeverisë. Modeli mafia e viteve ‘90. Lëri plehrat pa mbledhur, shkaktohet krizë, qytetarët revoltohen dhe mafiozët qeveritarë vendosin çmimin që duan.”

Xhaferaj solli edhe rastin e Velierës, të cilën e cilësoi një grumbull hekurishtesh ndërsa solli në vëmendje që Durrësi ka dhjetëra halle të tjera për t’u zgjidhur, si kanalet e ujërave të zeza.

“Në zemër të Velierës, projekt i nisur në 2016, thatë që do të kushtojë 4 milionë dollarë, vjet e çuan një milionë të tjera, dhe tani do ta çoni edhe 2.5 milionë dollarë.”

Kurse, duke u ndalur tek Porti i Durrësit, Xhaferri tha se sot është kthyer në një zyrë shitjesh.

“Nuk bëhet fjalë për një projekt turisti, por për një aferë të pastër korruptive. Bëhet fjalë për një mega park vilash, ku bëhen bashkë qeveritarë dhe oligarkë.”

Sipas deputetit demokrat, masakra më e madhe që i është bërë Durrësit është, që është “vrarë” ndjeshmëria qytetare për të reaguar.

“U latë vetëm një zgjidhje, të ikin nga vendi. Edhe atyre iu përgjigjët me ligjin për të huajt. Keni bërë një masakër urbane me mbetjet, velieriën e portin. Keni vjedhur potencialin e një qyteti për interesat e rilindjes.” /abcnews.al/