Trump, i ashpër me Meksikën: Të ndalojë emigrantët drejt SHBA, do ta quajmë Gjiri i Amerikës

schedule18:20 - 7 Janar, 2025

schedule 18:20 - 7 Janar, 2025

Marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, kritika të shumta për Joe Biden dhe paralajmërime për Panamanë dhe Groenlandën.

Këto ishin disa nga çështjet më të nxehta për të cilat Donald Trump foli në konferencën e dytë në Mar a Lago që kur u fitoi zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Trump njoftoi një marrëveshje prej 20 miliardë dollarësh me Emiratet e Bashkuara Arabe për qendrat e të dhënave në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i zgjedhur i qëndroi retorikës së tij të ashpër për Kanalin e Panamasë, Groenlandën dhe madje edhe gjirin e Meksikës.

Ai nuk përjashtoi përdorimin e ushtrisë për të marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe Grenlandës.

Për Kanalin e Panamasë ai tha se po përdoret tashmë nga Kina dhe nuk përjashtoi mundësinë e shtrëngimeve ekonomike.

Teksa përsëriti thirrjen ndaj Meksikës që të punojë për ndalimin e imigracioni të paligjshëm përtej kufirit SHBA-Meksikë, Trump tha se Gjiri i Meksikës mund të ndryshojë emër.

“Ne do të ndryshojmë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës, i cili ka një unazë të bukur. Kjo mbulon shumë territor, Gjirin e Amerikës – sa emër i bukur. Dhe është e përshtatshme”.

Kritikat e shumta ndaj paraardhësit të tij Joe Biden nuk munguan. Trump tha se po e merr vendin në një situatë shumë të vështirë, teksa inflacioni arrin majat dhe normat e interesit janë shumë të larta.

Nuk munguan as sulmet për politikat që administrata e Biden ndoqi në Afganistan, Rusi dhe Siri.

“Ne mundëm ISIS-in. Nuk kishim luftëra. Tani po shkoj në një botë që po digjet me Rusinë, Ukrainën dhe Izraelin.”

Deklarata të forta presidenti i zgjedhur bëri edhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut.

“Askush nuk di më shumë për NATO-n se unë. Po të mos isha unë NATO nuk do të ekzistonte tani.

Kam mbledhur nga vendet që nuk po paguanin faturat e tyre mbi 680 miliardë dollarë. Unë e shpëtova NATO-n, por NATO po përfiton prej nesh”.

Trump premtoi përsëri se do të përpiqet të zhbëjë veprimin që Presidenti Joe Biden ndërmori për të ndaluar përgjithmonë zhvillimin e ardhshëm të naftës dhe gazit në det të hapur në pjesë të oqeanit Atlantik dhe Paqësor.

“Veprimet e Presidentit Biden dje për shpimet në det të hapur, ndalimi i shpimeve në det të hapur, nuk do të qëndrojnë. Do ta kthej menjëherë. Do të ndryshojë menjëherë”.

Teksa përsëriti edhe njëherë se do të falë disa nga të dënuarit për sulmet e 6 janarit në Capitol, kur inaugurohej Joe Biden, Trump sulmoi edhe prokurorin Jack Smith, që ndoqi hetimet ndaj tij.

“Munda të çmendurin Jack Smith. Ai është një individ i çmendur. Ne i fituam rastet. Dhe, shtypi bëri një punë kaq të madhe prej tyre. Por ne nuk bëmë asgjë të keqe. Nuk kemi bërë asgjë të keqe për asgjë”.

Në të njëjtën kohë gjykatësi federal që mbikëqyri çështjen e dokumenteve të klasifikuara kundër Presidentit të zgjedhur Donald Trump, dha ​​një urdhër për të bllokuar përkohësisht publikimin e raportit të këshilltarit Jack Smith mbi hetimin e tij për presidentin e ardhshëm amerikan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!