Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga Londra në skenat shqiptare! Adriana Koreta: Historitë e vërteta pas këngëve të mia

schedule11:07 - 30 Qershor, 2026

schedule 11:07 - 30 Qershor, 2026

Zëri i saj është identifikuar prej vitesh me këngën popullore të Jugut, por publiku që e duartroket nuk kufizohet vetëm në Labëri. Pas një jete të gjatë në emigrim, mes Greqisë dhe Anglisë, këngëtarja Adriana Koreta është rikthyer në Shqipëri, duke zgjedhur të jetë sërish pranë vendit që, siç thotë vetë, nuk reshti kurrë së dashuri.

E ftuar në ABC-në e Mëngjesit, Adriana Koreta do të rrëfejë historinë e një artisteje që nuk e ndali asnjëherë muzikën, pavarësisht sfidave të emigrimit. Ajo ka kënduar në skena në Amerikë, Kanada, Australi, Angli, Shqipëri dhe për komunitetet shqiptare në diasporë, duke e kthyer muzikën në urën që e lidhte gjithmonë me atdheun.

Edhe pse është krenare për origjinën e saj vlonjate dhe për muzikën e Jugut, këngëtarja pranon se një nga surprizat më të bukura të karrierës ka qenë dashuria që ka marrë edhe nga publiku i Veriut.



“Jam labe dhe këtë nuk e ndryshoj dot, por nuk e kisha menduar kurrë që edhe në Veriun e Shqipërisë do të përqafohej kaq shumë muzika ime. Kjo më ka emocionuar jashtëzakonisht.”
Adriana tregon se muzika ka qenë pjesë e jetës së saj që në fëmijëri. Ajo këndonte kudo, në shkollë, në familje dhe ëndërronte vetëm një gjë: të bëhej këngëtare. Sot numëron mbi 20 videoklipe dhe një repertor që nuk kufizohet vetëm te kënga popullore, por përfshin edhe zhanre të tjera muzikore.

Në intervistë do të ndalet edhe te dy projektet e saj më të fundit. Kënga “Hajdut me nam” sjell me humor një traditë të njohur popullore, sipas së cilës dhëndri duhet të tregojë zgjuarsi dhe trimëri për të fituar nusen. Klipi, i realizuar në bashkëpunim me Parodistët e Vlorës, është pritur me shumë entuziazëm nga publiku.

Ndërsa “Kafe me motrën” është një këngë krejt ndryshe, e mbushur me emocion dhe frymëzuar nga historia personale e artistes. Madje, pak ditë më parë, një telefonatë e preku thellë.
“Një person që nuk e njihja më telefonoi dhe më tha se kënga ime e kishte shtyrë t’i shkruante motrës, me të cilën nuk kishte folur prej më shumë se 20 vitesh. Ai moment më bëri të kuptoj se muzika mund të shërojë plagë dhe të ribashkojë njerëz.”

Pavarësisht viteve në skenë, Adriana Koreta thotë se nuk e ka menduar kurrë largimin nga muzika. “Muzika është dashuria ime më e madhe. Ndoshta një ditë mund të më lërë ajo mua, por unë nuk do ta lë kurrë. Ajo është pjesë e jetës sime.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!