Nga inflacioni te kreditimi/ Eksperti skanon tregun valutor: Arsyet që dobësuan monedhën euro

schedule20:45 - 24 Nëntor, 2023

schedule 20:45 - 24 Nëntor, 2023

TIRANË– Drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj në intervistë për “Sheshin e Dollarit” foli për inflacionin dhe rritjen e normës bazë të interesit.

Ai nënvizoi se masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar në uljen e inflacionit. Rritja e normës bazë të interesit shton Vakaj ka pasojat e veta për ekonominë, sidomos në sektorin e kreditimit.

“Kemi pasur një rënie të ndjeshme të inflacionit. Çështja e normës bazë të interesat ndikohet nga disa elemente, por tentative për ta ulur besoj se nuk do kishte ndikim të mirë në ekonomi. Pa diskutim efektet në sistemin bankar nuk stabilizohen kollaj, në momentin kur prishet një ekuilibër, kërkon disa vite për të ardhur në nivelet ku ishim. Nëse ekonomia do të performojë sipas pritshmërinë, absolutisht që Banka e Shqipërisë do të ndërhyrje për të nxitur kreditimin”, tha eksperti.

Duke analizuar sistemin bankar, Vakaj u ndal tek niveli i kredive të këqija, të cilat sipas tij janë në nivele shumë të mira. Kjo panoramë e shëndetshme tha Vakaj ka ardhur për faktin se bankat kanë qenë shumë të kujdesshme në dhënien e kredive.

“Kreditë me probleme janë në nivele shumë të mira krahasuar me periudhën 7 apo 10  vjet përpara. Ne nivelet që jemi sot, nuk jemi në atë situata ku bankat ndodhen përballë riskut për të financuar kapitale shtetas, Bankat kanë qenë strikte dhe konservatore në dhënien e kredive. Kjo e ka penguar kreditimin, por kanë luajtur sigurt”, tha ai.

I pyetur për zhvlerësimin e euros, Vakaj tha se kanë ndikuar shumë faktorë. Ai tha se tregu i pasurive të paluajtshme është i lidhur me euron dhe oferta në treg ka bërë që të shtohet sasia në valutë e euros.

Gjithashtu, sipas ekspertit, një tjetër tregues, i cili ka ndikuar në zhvlerësimin e monedhës europiane është edhe rritja e remitancave- apo e thënë ndryshe, sasia e parave që dërgojnë emigrantët nga vendet e tjera drejt Shqipërisë.

“Nëse shikojmë kursin e këmbimit me dollarin është forcuar, kurse në raport me lekun, që është fenomen i brendshëm është ulur. Fenomeni ynë është disi paradoksal, është pak i vështirë për t’u shpjeguar. Kemi valutë të lartë të euros. I gjithë tregu i pasurisë së patundshme është i lidhur me euro dhe e oferta në treg e euros ka qenë në nivel të lartë. Euro tani lidhet edhe me ndërhyrjen e bankës në normën bazë të interesit. Remitancat kanë vazhduar të jenë vetëm në rritje. Tendencat janë në rritje dhe është element pozitiv, por ekonomia jonë në tërësi është fakti se nuk kemi një ekonomi prodhuese. Ende nuk jemi një ekonomi e shëndoshë”, tha ai./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!