Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, mëngjesin e 1 korrikut, përcillet sot për në banesën e fundit.
Ndërkohë që në Teatrin e Operas dhe Baletit po mbahen homazhe për nder të tij, duket se qytetarët në të gjithë Shqipërinë ndihen të trishtuar nga kjo humbje e madhe.
ABC News ka shkuar në disa nga qytetet kryesore, duke folur nga afër me qytetarët, të cilët kanë shprehur vlerësime për kolosin e letrave shqipe.
Një qytetar nga Elbasani ka thënë për mikrofonin e ABC News:
“Më ka pëlqyer si shkrimtar. Ishte një njeri i zgjuar, i shkathët, i jepte vendit libra dhe dije”.
Një tjetër qytet që është bashkuar me nderimin e figurës së Kadaresë është edhe Shkodra.
“Humbje e madhe për këtë popull, është i pazëvendësueshëm”.
Padyshim, qyteti që e ka ndjerë më shumë dhimbjen për vdekjen e kolosit të letërsisë shqipe, është vendlindja e tij Gjirokastra, të cilës Kadare i dedikoi libra dhe ia prezantoi të gjithë botës.
Shkrimtari Thanas Dino, fqinji i Kadaresë Halim Xhaxhiu dhe përgjegjësi i muzeut ‘Kadare’ kanë kujtuar vlerat e panumërta të shkrimtarit dhe gjithçka çfarë ai ka bërë për këtë qytet.
Edhe Vlora, nuk mund të bënte përjashtim në këtë ditë të trishtë, ku e gjithë Shqipëria humbi Kadarenë, padyshim qyteti bregdetar vlerëson kontributin e dhënë si në komunizëm ashtu dhe në demokraci.
“Një mal i madh u rrëzua, iku Kadareja“, janë fjalët e një qytetari nga Fieri, i cili i prekur e kujton Ismail Kadarenë, duke thënë se ishte një figurë me plot vlera, madje e krahason dhe me figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
/abcnews.al