Nga “Fiton Vllaznia me gol të Shtubinës”, te “Teuta kampion”: Deklaratat e Laskës që trazuan ujërat

schedule10:55 - 18 Maj, 2021

schedule 10:55 - 18 Maj, 2021

“Fiton Vllaznia me gol të Shtubinës”, ishte një deklaratë e Pashk Laskës, presidentit të Laçit, i cili trazoi ujërat në marsin e vitit 2017, në prag të një ndeshjeje që shkodranët luanin në Gjirokastër kundër Luftëtarit.

Shumë zhurmë, reagime nga klubet dhe Laska më pas shprehej se thjesht kishte treguar një ëndërr dhe kishte folur siç ndodh rëndom para ndeshjeve të kampionatit tonë.

Parashikimi i tij nuk doli, pas Luftëtari e Vllaznia u ndanë në barazim pa gola. Presidenti i kurbinasve rrallë flet në media dhe dje i emocionuar pas fitores me Tiranën, sërish ka bërë që të flitet shumë.

“Nuk na intereson fare kampionati, donim kupat e Europës. Deri tani jemi kampionë”, tha fillimisht Laska për RTSH, ndërkohë që në ikje e sipër u ngacmua për çështjen e titullit kampion.

“Teuta apo Vllaznia kampione? Teuta kampion, Teuta”, tha Laska, ndërkohë që të premten skuadra e tij përballet me durrsakët dhe me një fitore ndaj tyre, nëse Partizani ngec me Vllazninë, Laçi mund të tentojë titullin në ndeshjen e fundit në Shkodër.

Me siguri deklarata e djeshme ishte emocionale, siç ndodh shpesh pas ndeshjeve edhe me trajnerët apo protagonistë të tjerë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!