Nga ekstradimi i Lulzim Berishës, Plarent Dervishajt e Julian Meçes, te lirimi i Durim Bamit/ Gazetarja: Do zbardhen shumë ngjarje

schedule13:36 - 14 Gusht, 2024

schedule 13:36 - 14 Gusht, 2024

Gazetarja e ABC News, Etleva Delia ka komentuar ngjarjet më të fundit të kronikës. E ftuar në “Tirana Live”, ajo ka folur për vendimin e Gjykatës Kombëtare të Spanjës për ekstradimin e Lulzim Berishës.

“Shumë shpejt Lulzim Berisha do të ekstradohet në vendit tonë dhe do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij në SPAK. Gjykata spanjolle ka thënë se jeta do i rrezikohej nëse do të ishte i lirë, por fakti që i dorëzohej autoriteteve shqiptare, do të ishte në kushte izolimi dhe nuk shihnin elementë që mund t’i rrezikonin atij jetën. Me këtë argumentim është hedhur poshtë dhe kërkesa e tij, duke e aprovuar ekstradimin drejt vendit tonë”, tha Deliaj.

Më tej, gazetarja u ndal dhe te lirimi i Durim Bamit në Dubai në një kohë kur Shqipëria kishte kërkuar ekstradimin e tij.

Sipas Delias, Bami mund të konsiderohet si personi më i kërkuar jo vetëm nga autoritetet, por dhe nga rivalët e bandave, pasi nëse ai vendos të flasë do të zbardhë shumë ngjarje.

“Unë komunikova sot me përfaqësues nga policia e shtetit dhe nuk mund të konsiderohet një dështim dhe faktin që ai është liruar nga qelia, për sa kohë sipas ligjeve atje dhe siç parashikohet në Dubai, nuk mund të qendrojë më shumë se dy muaj një person në pritje të ekstradimit në qeli. Edhe kjo ka qene dhe arsyeja pse ai është lënë i lirë, jo totalisht, por me një masë tjetër sigurimi. Pra, nuk mund të themi që ai është totalisht i lirë. Dosja nuk ka pasur vonesa nga ana e autoriteteve shqiptare. Durim Bami mund të konsiderohet sot për sot si personi më i kërkuar jo vetëm nga autoritetet, por dhe nga rivalët e bandave, e kërkonin dhe për ta vrarë dhe tani e kërkojnë dhe për ta arrestuar, pasi ai di shumë, dhe nëse ai vendos të flasë do të zbardhë shumë ngjarje”, u shpreh ajo.

Sa i përket, ekstradimit të Plarent Dervishajn, dhe Julian Meçen, përmes një operacioni të fshehtë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për në Rinas, gazetarja tha:

“Ky është një hap që pritej të ndodhte, pra ekstradimi i parë që të bëhej nga Dubai. Duke cilësuar dhe rrezikshmërinë e këtyre personave, janë identifikuar vendndodhjet e tyre. pjesa më e madhe e tyre që konsiderohen si persona të rrezikshëm strehohen në Dubai. Duke qene se tashmë u krye një ekstradim, ne presim të kryhen dhe të tjera.

Të dy kanë qene bashkëpunëtorë për atentatin ndaj prokurorit Ndoja. Dervishaj ndodhej në Dubai prej kohësh dhe falë marrëveshjes dhe këmbënguljes u arrit të bëhej e mundur ekstradimi i tij”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!