Duke nisur nga 1 tetori, pensionet do të shpërndahen bashkë me rritjen prej 8.6%. Pensionistët e vlerësojnë këtë rritje, por njëkohësisht theksojnë se është e nevojshme që një masë e tillë të vijojë.
Ata shprehen se i përballojnë shpenzimet me ndihmën e fëmijëve.
“Ne pensionistët atë presim, sa më shumë të na rriten, aq më mirë do jetë. Ne jemi mësuar me pak. Pak e vështirë është, por me ndihmën e fëmijëve po e përballojmë”.
Drejtori i Institutit të Sigurimeve shoqërore, Astrit Hado shpjegon se përllogaritja për rritjen tashmë është përfunduar për të gjithë përfituesit dhe pensionistët do e tërheqin shtesën bashkë me pensionin e radhës.
Nga ky indeksim përfitojnë të gjitha kategoritë.
“Pensionet e pleqërisë, invadiliteti, pensionet e pleqërisë, pensionet suplementare, trajtimet e veçanta, shtesat e ndryshme, të gjitha do indeksohen me 8.6%. Të gjithë ata qytetarë që do të marrin pensionin më 1 tetor në postë, ose më 20 tetor në bankë, do e marrin këstin e muajit tetor të indeksuar. Rritja do të jetë mbi bazën e të ardhurave që ata marrin, por në mesatare duke marrë për bazë pensionet mesatare, rritet diku te 1500 lekë për çdo pension në total.
Hado sqaron se indeksimi 8.6% është bërë duke përllogaritur rritjen e çmimeve të shportës së pensionistëve.
“Pesionistët, përgjithësisht, rreth 50-55% të buxhetit të tyre e shpenzojnë për mallrat e konsumit bazë, që janë ushqimet dhe shërbimet bazë. Këto kemi futur në shportë. KJo vërtetohet me indeksin e çmimeve”.
Efekti në buxhetin e shtetit për këtë vit si pasojë e rritjes së pensioneve rezulton 3.2 miliardë lekë./abcnews.al