Fundjava pritet që të sjellë ndryshim të kushteve atmosferike në vendin tonë. Pas shumë ditëve të nxehta dhe me diell, meteorologu Hakil Osmani ka paralajmëruar reshje shiu dhe me raste në formë rrebeshi gjatë ditës së shtunë.
Sipas tij pritet që reshjet e shiut të jenë kryesisht prezente gjatë mesditës së të shtunës dhe paraditen e të dielës të kemi prani të reshjeve të pakta të shiut.
“Dita e shtunë do të sjellë ndryshime të tablosë termike dhe përsa i përket kushteve termike, pasi do të kemi reshje shiu në territorin shqiptar herë pas here gjatë orëve të mesditës që do të jenë edhe në formë rrebeshi herë pas here. Ndërkaq pritet një përmirësim i kushteve të motit duke filluar në orët e mbrëmjes, por sërish do të jenë prezente reshjet e pakta në zonat lindore.
Dita e dielë do të ketë vranësira të shpeshta që herë pas here do të krijojnë mundësi për reshje të pakta shiu, në ultësirën perëndimore do të jenë prezente gjatë orëve të para të mëngjesit por mesdita do të sjellë dhe një përmirësim të kushteve të motit”, ka thënë ai.
Gjithashtu pritet që të kemi një luhatje edhe përsa u përket temperaturave të ajrit ku fundjava do të shënojë një rënie deri në 6 gradë.
“Temperaturat e ajrit do të ulën ndjeshëm me 6 gradë duke shënuar vlerat maksimale në 31 gradë, ndërsa e diela do të sjellë një rritje me 1 gradë”, ka thënë ndër të tjera metereologu.
Ndërkaq edhe në në rajon do të prani të reshjeve të shiut në fundjavë ku Kosova dhe Mali i Zi do të kenë dhe një dendje më të madhe të tyre. /abcnews.al