Nga “Deti” në Hagë te Ligji i Luftës, Dendias mohon “Çamërinë” në Tiranë: Të mos krijojmë çështje që s’janë ekzistuese

schedule12:40 - 23 Maj, 2022

schedule 12:40 - 23 Maj, 2022

Gjatë një konference për shtyp, kryediplomati i jashtëm grek, Nikos Dendias dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, vunë theksin te disa çështje duke nisur nga ligji i luftës e deri te “Deti” në Gjykatën e Hagës.

Xhaçka tha se një tjetër çështje për të cilën kanë diskutuar është procesi i integrimit Europian.

Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë një politikë aktive. Një integrim ekonomik. Integrimi Euroatlantik është i pazëvendësueshëm për rajonin. Tre vendet e Ballkanit Perëndimor janë në NATO. Një çështje e rëndësishme që u diskutua është dhe integrimi Europian të Shqipërisë. Përshëndes mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet. Shpresat mbeten akoma për një vendim gjatë presidencës franceze.

Vlerësojmë Greqinë si një partneritet të fuqishëm. Mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare është e rëndësishme. E falënderova ministrin për mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Temë diskutimi ishte dhe situata në Ukrainë, ku përfitoj nga rasti për të shprehur dhe njëherë mbështetjen e Shqipërisë. Duhet bërë më shumë për të ndaluar luftën e Rusisë ndaj Ukrainës. Ndajmë qëndrimin e njëjtë për dënimin e luftës së Rusisë. Një tjetër çështje e diskutuar është dhe delimitimi i hapësirave detare. Rikonfirmuam vullnetin për një kompromis për të referuar çështjen në një palë të tretë gjyqësore” – tha Xhaçka.

Sa i përket abrogimit të ligjit të luftës nga Greqia, ministrja Xhaçka u shpreh se nga pala greke ka vullnet të mirë. “Ekziston vullnet i mirë për zgjidhje të pranueshme reciprokisht edhe për abrogimin e Ligjit të Luftës apo çështjen e pronave të komunitetit çam”.

Gjatë fjalës së tij Nikos Dendias e vuri theksin te disa çështje sensitive. Ai shprehu gjithashtu të njëjtin vullnet për abrogimin e ligjit të luftës, ndërsa për pronat e komunitetit çam në Greqi, la të nënkuptohej se janë “çështje që nuk ekzistojnë”.

“Është e rëndësishme si ne do të përshpejtojmë hapat për të përmbushur mënyrën teknike që të depozitojmë sa më shpejt dokumentat në gjykatën e Hagës.Abrogimi i ligjit të luftës të përmbyllet sa më shpejt. Kjo do të thotë se ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike.  Të mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese se do na çojë në pasoja të dyfishta. Ne konsiderojmë se minoriteti grek dhe ai shqiptar atje janë urë lidhëse prandaj ne referuam çështje që u përkasin këtyre dy grupeve. Çështja e detit, në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Është e rëndësishme që ne ramë dakord që ti vendosim në një intinerar zgjidhjesh këto çështje. Kisha gëzim të takoj anëtarë të minoritetit grek në Himarë”.

Ministri grek përmendi edhe pensionet për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi prej shumë vitesh, çështje për të cilën u shpreh i gatshëm që të diskutojë për t’i dhënë zgjidhje.

“Ne konsiderojmë se minoritet grek në Shqipëri por edhe komuniteti shqiptar që punon dhe jeton në Greqi përbëjnë një urë lidhëse mes dy vendeve dhe për këtë arsye ne duhet të diskutojmë, ndaj dhe diskutuam çështje që i referohen këtyre grupeve, pra minoritetit grek dhe komunitetit shqiptar në Greqi dhe kuptoj gjithashtu shumë mirë çështjen e pensioneve. Është shumë e rëndësishme që ne ramë dakord që të diskutojmë dhe t’i vendosim në një itinerar zgjidhjesh këto çështje që merren me shumë njerëz që kanë kontribuuar në ekonominë tonë reciproke”.

/abcnews.al