Pas një debati të fortë që pasoi listën e kandidatëve për deputetë në vitin 2017, Lulzim Basha parashikoi në statut në vitin 2018 dhe miratoi në kryesi këtë të enjte kalimin e përgjegjësisë së përzgjedhjes së kandidatëve nga anëtarësia përmes parimit një anëtar një votë.
Por anatemimi i opozitarëve të rinj që zunë vendet e lëna bosh nga demokratët në Parlament e ka vendosur Bashën në pozitat për të përcaktuar rregulla të forta për këdo që aspiron të garoj për një vend në parlament nën logon e forcës së tij politike.
Në udhëzimin e firmosur nga kryedemokrati Basha dhe Sekretari i Përgjithshëm Bardhi janë futur për herë të parë si kritere detyruese për të marrë të drejtën për të kandiduar nën logon e Partisë Demokratike në Zgjedhje, pastërtia e figurës ose dekriminalizimi dhe dekomunistizimi, i cili parashikon mospërfshirjen e kandidatëve në organe të larta drejtuese të regjimit komunist.
Pas akuzave të forta në drejtim të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Rama për mbështetje të individëve që ushtrojnë aktivitete të ndaluara në fushën e narkotikëve, demokratët kanë vendosur si kriter ndalues në udhëzimin për kandidatët konsumimin e lëndëve narkotike dhe përfshirjen e individëve në këto aktivitete.
Kandidatët do të duhet të japin të dhëna konkrete edhe për një tjetër kriter të rëndësishëm që lidhet me pasurinë.
Në një formular me të dhëna të detajuara kandidatët përshkruajnë burimin e pasurisë së tyre dhe vlerën e pasurisë që zotërojnë.
Në listat e ardhshme të kandidatëve, Partia Demokratike do të përfaqësojë me jo më pak se 30% gratë, jo më pak se 10% të rinjtë, do të përfshijë shtresën e të përndjekurve politikë dhe pronarëve.