Nga bonusi i bebeve te bujqësia/ Nunaj: Çdo propozim duhet të argumentohet. Xhepa: Subvencionet në bujqësi, të papërfillshme

schedule21:03 - 8 Nëntor, 2024

schedule 21:03 - 8 Nëntor, 2024

TIRANË- Analistja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e ftuar në “Sheshin e Dollarit” tha se nuk është dakord, që lindshmëria të trajtohet me shpërblime të caktuara financiare, në formën e përqindjeve apo bonuseve.

Ajo theksoi se shoqëria duhet t’i fitojë të drejtat e saj dhe jo t’u dhurohen ata si bonuse. Sipas ekspertes, familja shqiptare duhet të shërbehen në mënyrë konkrete si një të drejtë, që ja garanton ligji.

“Njerëzit duhet ta fitojnë të drejtën, por jo t’ua dhurojnë në këtë formë. Në rastin bebeve, që jep disa para, që nëse lind një fëmije ose dy dhe me radhë, nuk jam dakord.  Nëse po flasim për politika stimuluese, besoj se nuk duhet të jetë më për qindje, por duhet të jenë politika që duhet të serviren dhe të shërbehen”, tha ajo.

Drejtuesi i emisionit, Bardhi Sejdarasi, pyeti Nunajn se çfarë qëndrimesh mban ajo personalisht kur merr pjesë në tryezat që organizojnë partitë politike për çështjet me natyrë ekonomike.

Gjatë diskutimit, Nunaj tha se si eksperte ka kërkuar që çdo propozim duhet të jetë i argumentuar dhe jo të “shitet” thjesht me fjalë të bukura, pa arsye dhe logjikë ekonomike.

“Kam kërkuar që çdo propozim, që çdo analizë të jetë e argumentuar. Në aspektin e një analiza, për mua s’ka rëndësi nëse është një partie matë apo e djathtë, por politika që ajo kërkon të realizojë”, u shpreh ajo.

Në emision, një çështje tjetër që u diskutua ishte sektori i bujqësisë. Eksperti i ekonomisë dhe profesori i njohur Selami Xhepa u shpreh se sektori i bujqësisë ka mbështetjen më të ulët në rajon.

Ai theksoi se shifra e subvencionimit për bujqësinë është 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, një shifër kjo e papërfillshme pasi nuk krijon mbështetjen e duhur te fermerët, që të rrisin punën dhe të shtojnë sipërfaqet e mbjella.

“Ne shpenzojmë për subvencionim më pak se 0.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).  Nëse kemi një vëllim të caktua parash, që do t’i çojmë për t’i subvencionuar, ne duhet të përcaktojmë prioritetet dhe më pas fondet duhet t’i adresosh. Bujqësia në krahasim me vendet e rajonit është e papërfillshme. Ne kemi 3 euro për hektarë, që shkon në xhepin e fermerit”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!