Nga blu në rozë.
Ish deputeti i PD, Dashnor Sula, është emëruar kryeinspektor i përgjithshëm me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sula do të zvëndësojë në këtë post Shkëlqim Hajdarin, i cili është emëruar prefekt i qarkut të Tiranës.
Distancimi i Sulës me Partinë Demokratike nisi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pasi Sali Berisha, nuk e përfshiu në listën e deputetëve edhe pse Sula fitoi primaret në Elbasan si kandidati më i preferuar nga demokratët.
Më pas Sula bëri një tentativë për t’iu bashkuar koalicionit Lapaj-Shabani, por dhe aty, aventura zgjati vetëm 24 orë.
Derën për të zhgënjyerin e radhës së Berishës, Edi Rama e hapi që në muajin mars, kur nga Elbasani, e ftoi ti bashkohet por Sula refuzoi të angazhohej në zgjedhjet e 11 majit.
“Kjo është partia jonë, e mbajmë derën mbyllur nëpër territore por sot jemi këtu për t’ju thënë këtu mirësevini përveç salamandrave dhe kukumjaçkave të kënetës nuk kanë vend. Kurse Dash Sula …duhet të dezinfektohet. Po duhet të heqë morrat e kënetës. Aty të mbyt morri, është tmerr”, tha Rama.
Por nga krahu tjetër, megjithëse e la jashtë listave, një gjysmë derë të hapur e la dhe Berisha për të kontribuar në partinë demokratike.
Por kur po mbushet viti nga krisja me Berishën dhe ftesa e Ramës, Sula, tashmë e ka të qartë të ardhmen.
Ai do të mbajë postin e kryeinspektorit të përgjithshëm, duke ndarë përfundimisht rrugët me Partinë Demokratike.
Kështu, Sula, është rasti i fundit I dhjetërave demokratëve të mërzitur të cilët vendosin ti bashkohen Ramës duke marrë poste të larta nga qeveria socialiste. Pak muaj më parë, një tjetër ish deputete demokrate, Zheni Gjergji, pranoi ofertën e qeverisë për të drejtuar spitalin rajonal të Elbasanit.


